Ditën e parë të fushatës, kandidati presidencial, Stevo Pendarovski, me një miting qendror e përmbylli në Prilep.
“Gjënë kryesore që e kam thënë, është se do të jem president i të gjithëve. Nuk shoh, parti, familje, fe apo komb, shoh kush është njeri”, tha Pendarovski.
VMRO-DPMNE fushatën e nisi me takimin elektoral para Qeverisë. Kandidatja për presidente, Gordana Siljanovska Davkova, bëri thirrje që të ruhen vlerat themelore të rendit kushtetues.
“Nuk shkohet në Evropë me retorikë për BE dhe NATO. Gjithë këto vite nuk zbatuan asnjë kriter të Kartës së Kopenhagenit”, tha ajo.
“Fronti Evropian” ka hapur shtabin zgjedhor në Likovë. Kandidati Presidencial, Bujar Osmani në fjalimin e tij ka theksuar se Misioni i presidentit të parë shqiptar është pjesë e mozaikut të madh të lirisë.
“Zotimi i parë është Bashkimi Evropian deri në vitin 2030, duke qenë i bindur se kjo është e vetmja alternativë për të vazhduar zhvillimin e shtetit”, tha Osmani.
Osmani theksoi se ekziston një dokument i nënshkruar nga partitë shqiptare me zotimin se nuk do të ketë Qeveri të re pa mos u miratuar Ndryshimet Kushtetuese.
Në garën për president konkurrojnë shtatë kandidatë gjithsej. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale mbahet me 24 prill dhe i dyti do të mbahet me 8 Maj njëherësh me zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut.
Tv Klan