Shqipëria, një xhevahir i fshehur në Gadishullin Ballkanik, po bëhet me shpejtësi një nga destinacionet më të kërkuar të Evropës .
E njohur për peizazhet e saj mahnitëse dhe trashëgiminë e pasur kulturore Shqipëria ofron një shumëllojshmëri atraksionesh që kënaqin çdo lloj udhëtari. Kështu niset ky artikull I të përditshmes italiane “Gaeta.it” që thekson se në vitet e fundit vendi ynë ka patur një bum të madh turistik.
Ky sukses në sektorin e turizmit sipas medias italiane nuk është I rastësishëm dhe rendit disa nga arsyet kryesore. Vitet e fundit, Shqipëria ka pasur një stabilitet më të madh politik, duke krijuar një mjedis më të sigurt për turistët. Ky stabilitet është shoqëruar me investime të konsiderueshme në infrastrukturë, si autostrada të reja, aeroporte të modernizuara dhe lidhje të përmirësuara të transportit, duke e bërë më të lehtë për vizitorët të eksplorojnë vendin tonë. Pa një marketing të mirë ky sukses në sektorin e turizmit do të ishte I pamundur.
Si qeveria shqiptare ashtu edhe kompanitë private të turizmit kanë nisur fushata marketingu që promovojnë atraksionet unike të vendit. Arsyeja tjetër është se krahasuar me destinacionet e Evropës Perëndimore, Shqipëria ofron një eksperiencë udhëtimi më të përballueshme pa kompromentuar cilësinë. Vendi ynë është një zgjidhje e mirë për ata që kërkojnë destinacione të lira.
Arsyeja e fundit sipas medias italiane por jo më pak e rëndësishmja janë pikat tona turistike.
Riviera Shqiptare, një vijë bregdetare mahnitëse përgjatë detit Jon, është një nga atraksionet më të njohura me Sarandën,Ksamilin dhe Himarën që janë disa prej vendeve më të frekuentuara e pëlqyera nga pushues të huaj e vendas.
Qytetet historike të Beratit dhe Gjirokastrës janë pikat ideale për ata që duan të mësojnë për historinë e vendit tonë dhe ndikimet e huaja. Për turistët që duan aventurat Alpet Shqiptare ofrojnë disa nga shtigjet më spektakolare të ecjes në Evropë. Terreni i larmishëm i Shqipërisë është ideal për të apasionuarit pas çiklizmit të cilët do të ndeshen me peizazhe të shumta piktoreske.
Klan News