Gati 5 për qind e popullsisë së qytetit të Wuhanit në Kinë mund të jenë infektuar me koronavirus, tregon një studim i Qendrës kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Wuhani ka rreth 11 milionë banorë, gjë që sugjeron se gati 500,000 mund të kenë pasur virusin. Nëse është e vërtetë, shifra është gati dhjetë herë më e lartë se numri i zyrtar i të infektuarve në Wuhan, prej 50,354 rastesh.
Rastet asimptomatike nuk llogariten në shifrat zyrtare të Kinës. Studimi vjen përpara vizitës së një ekipi shkencëtarësh ndërkombëtarë në Wuhan, për të hetuar origjinën e virusit.
Vizita do të realizohet në janar, pas disa muajsh negociata me Pekinin, i cili ka ngurruar të binte dakord për një hetim të pavarur.
Studimi i Qendrës kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka përdorur mostrat e 34,000 njerëzve në Vuhan, në provincën Hubei, Pekin, Shangai dhe katër provinca të tjera.
Studiuesit kanë gjetur një normë të prevalencës së antitrupave prej 4.43% në Wuhan dhe një normë të prevalencës prej 0.44% në provincën Hubei, ku ndodhet Wuhani. Sipas studimit, vetëm dy njerëz kanë testuar pozitivisht për antitrupat midis 12,000 njerëzve të testuar jashtë Hubeit./REL