“Gatimet që na sjellin kujtime”, kjo ishte tema që drejtuesja e emisionit “Rudina”, Rudina Magjistari kishte zgjedhur të trajtojë sot.

Gatimet janë të rëndësishme në jetën tonë dhe shprehja “Dashuria vjen nga stomaku”, nuk ka dalë kot.

Politikania Lajla Përnaska, moderatorët Bledi Strakosha dhe Artenisa Ozaj dhe gazetarja Alba Çobaj kishin sjellë në emision 4 pjata të ndryshme, të cilat mbartnin një histori për secilin nga personazhet.

https://youtu.be/9TXmMnU53hc?t=4m31s

Lajla Përnaska ka një marrëdhënie shumë të fortë me djalin e saj, Fjordin dhe sigurisht që kujdeset edhe sot që është rritur të përgatisë gatimet e tij të preferuara. Sot kishte sjellë pikërisht pjatën e preferuar të djalit të saj, kuinoa me perime dhe karkaleca.

“Kuinoa me perime dhe karkaleca. Historia e kësaj pjate lidhet me atë pjesë të jetës time kur kam jetuar në Paris dhe u përballa me një jetë totalisht ndryshe nga ajo që kisha bërë këtu.

Avokado, kuinoa apo edhe produktet të tjera ishin të panjohura për mua, por mikeshat e mia mi kanë sugjeruar, më ka shijuar dhe i kam përgatitur. Kur u ktheva familja ime e kishte të vështirë ta pranonte si pjatë fillimisht, por po të kthehemi tek brezi i tim biri, Fjordi mund të themi që është ndër pjatat e tij të preferuara”,

tha Përnaska.

Për Bledi Strakoshën por edhe për të gjithë ne makaronat na kujtojnë Italinë, por ai ka edhe një lidhje të veçantë sepse ka mësuar t’i përgatisë pikërisht gjatë kohës që ka jetuar në Itali.

“Makaronat me pesto dhe salcë domatesh janë shumë të shijshme por duhet kujdes sepse kanë shumë produkte brenda. Këtë recetë e kam zbuluar rastësisht kur kam qenë për studime në Itali. U mblodhëm me disa miq dhe shkuam në Alpet e veriut të Italisë dhe unë nisa të eksperimentoj me gatimin. Kishin mbetur disa salca të hapura dhe unë bëra këtë lloj kombinimi që u shijua nga të gjithë dhe u kthye në një recetë tipike e imja”,

tha Strakosha.

Byreku me qumësht, është padyshim i preferuari Artenisa Ozajt, që i kujton marrëdhënien me prindërit, me nënë e saj veçanërisht pasi është gatimi më i mirë që përgatit ajo.

“Unë kam dëshirë të gatuaj, por është çështje kohe tani që nuk merrem. Kur isha në Amerikë që do të lindja vajzën, kam eksperimentuar. Historia e byrekut me qumësht që unë kam gatuar është shumë interesante. Mamaja ime e ka përgatitur shpesh dhe ne të gjithë e pëlqejmë. Por tashmë ka ardhur momenti që ajo nuk e gatuan më sepse ka merak se shëndoshet vetë ngaqë nuk i reziston dot. Dhe tani ne kemi nisur ta përgatisim vetë”

, tha Ozaj.

Pastiçja për Alba Çobajn është gatimi që ka preferuar gjatë fëmijërisë dhe që i kujton këtë periudhë të jetës.

“Ne shqiptarët jemi të lidhur pas disa recetave tradicionale apo brumrave. Janë disa receta tipike që ne edhe në fund të botës të shkojmë kemi nostalgji që t’i provojmë. Unë gatuaj vetë dhe pastiçja është një nga recetat që më kujton fëmijërinë”,

tha Çobaj.

/tvklan.al