Debati i parë i dy kandidatëve për president në SHBA nisi me një mori gafash. Joe Biden i cili mban aktualisht postin e presidentit dhe ish-presidenti Donald Trump garojnë për të patur në kontroll administratën e SHBA.

Biden dhe Trump akuzuan njëri-tjetrin për çështje të cilat konsiderohen si të nxehta. Ata hodhën akuza dhe kundërakuza për emigracionin, abortin dhe menaxhimin apo politikat e ndjekura për sa u përket dy luftërave asaj në Gaza dhe asaj në Ukrainë.

Biden 81 vjeç nuk pati performancën e tij më të mirë në debatin e parë, 20 minutëshi i parë duket se ishte më i vështiri për atë. Ai gaboi jo pak herë në shifra për numrin e vendeve të punës që ka hapur gjatë mandatit të tij.

Nga ana tjetër, argumentet e Trump u panë si të pavërteta. Në një intervistë për Klan News, gazetarja e Zërit të Amerikës, Klementina Cenkollari dha më shumë detaje për debatin e djeshëm. Një ndër pikat që ajo ceku ishin edhe çështjet për të cilat dy kandidatët u përplasën.

“Kandidatët treguan edhe një herë se kanë dallime të thella në qëndrimet e tyre. Trump përsërit edhe një herë pretendimin që e ka thënë edhe gjatë fushatës së tij se lufta në Ukrainë nuk do të kishte filluar asnjëherë nëse do të kishte qenë ai president. Gjithashtu iu rikthye kritikave ndaj administratës së Biden për ndihmat e mëdha që SHBA i ka dhënë Kiveit ai përsëriti disa herë se SHBA-të nuk po respektohen më sipas tij dhe se udhëheqësit e vendeve të tjera mendojnë se jemi budallenj dhe se për këtë ai fajësoi Biden.

Nga ana tjetër Biden akuzoi ish-Presidentin Trump se donte që të nxirrje SHBA-në nga NATO që sipas tij do të rrezikonte një zgjerim të luftës në Ukrainë,” tha gazetarja.

Lufta në Ukrainë dhe qëllimet e presidentit rus Vladimir Putin duket se ka bërë që Trump dhe Biden të gjejnë një pikë dakordësie në qëndrimet e tyre.

“Megjithatë ishte një pikë ku të dy kandidatët ishin në një mendje: se kushtet e vëna nga presidenti Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë ishin të papranueshme,” shtoi Cenkollari.

Gazetarja e VOA më tej tregoi për Klan News, të pavërtetat që u thanë nga dy kandidatët për t’u bërë presidenti i SHBA. Si më kryesoren ajo renditi pretendimet e Trump për çështjen e 6 Janarit në Capitol.

Klementina Cenkollari, gazetare e VOA: Një nga çështjet më të nxehtë ishte edhe 6 Janari. Në fjalën e tij Trump tha se vetëm  një numër i vogël njerëzish shkuan në Capitol dhe se ata u shoqëruan atje nga policia dhe se më pas ka pasur arrestime të të pafajshmëve, por duhet thënë se e vërteta është ndryshe. Sulmi në Capitol ishte sulmi më i përgjakshëm ndaj institucionit amerikan në 200 vitet e fundit dhe kjo është dokumentuar nga video-regjistrimet, fotografitë dhe dëshmitarët e pranishëm, ku shumë njeredëz shkuan në Capitol duke e shndërruar atë në një skenë përplasjesh me policinë.  

  • Aborti

“Çështja e abortit e cila është një nga çështjet më të nxehta tek votuesit amerikanë. Trump tha se administrata në tërësi është radikale dhe se sipas tij mbështesin abortin edhe në muajin e tetë apo në muajin e nëntë. Ai tha se ata janë të gatshëm t’i marrin jetën një fëmije në muajin e tetë apo të nëntë madje edhe pas lindjes. Kjo nuk është e vërtetë pasi vrasja e foshnjave është një vepër penale në të gjitha shtetet dhe as një shtet nuk ka miratuar një ligj që lejon vrasjen e foshnjës pas lindjes.”

  • Emigracioni

“Trump vazhdimisht pohon se shtetet e tjera sipas tij po zbrazin burgjet dhe institucionet e tyre të shëndetit mendor dhe po i dërgojnë ata në SHBA, ku dhe po strehohen madje sipas tij në hotele luksoze, por deri tani nuk ka prova për të mbështetur këtë pretendim. Ai argumentoi po kështu se fluksi i emigrantëve po shkaktonte rritje të kriminalitetit në SHBA, ndonëse statistikat tregojnë se kriminaliteti i dhunshëm është në rënie e sipër.


Debati i djeshëm është parë më shumë skepticizëm nga shumë ekspertë dhe aq më tepër votues. Shumë prej tyre janë shprehur se Biden pati paraqitjen e tij më të dobët. Anketa e CNN tregon se 67% e votuesve ishin në mbështetje të Trump, pjesa tjetër në mbështetje të Biden.

“Shumë ekspertë dhe votues mendojnë se paraqitja e Biden dje ka qenë më e dobëta e tij ndonjëherë, ndërsa disa analistë të tjerë mendojnë se paraqitja e tij dje në debat ka qenë më e dobëta e ndonjë presidenti në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Biden u shfaq relativisht me pak energji, kishte herë pas herë lëkundje të zërit, në disa raste bëri përpjekje të sforcuara për të lidhur argumentet e tij dhe shpesh herë u pa edhe në vështirësi për ta përfunduar mendimin.

Reagimi i parë i Biden ishte së në tërësi debati i djeshëm shkoi mirë, ndërsa në kampin republikan pas përfundimit të debatit u tha se tashmë ai ishte presidenti i zgjedhur duke iu referuar në mënyrën se si ai u paraqit në pikëpamjen e republikanëve. Gjë që nuk u pa shumë te demokratët të cilët u treguan deri diku të tërhequr edhe për të reaguar mbi debatin e djeshëm.

Megjithatë duhet thënë se ka patur një anketim të parë për mënyrën se si votuesit e panë debatin. Një anketim pikërisht nga rrjeti CNN ku dhe u zhvillua debati. 67% e shikuesve që panë debatin thanë se Trump pati një paraqitje më të mirë se Biden krahasuar me 33% që e besonin këtë gjë për presidentin amerikan. Më herët këto shifra përpara se të zhvillohej debati ishin 55% kundrejt 45%, gjithmonë kjo në favor të Trump,” përfundoi gazetarja e VOA, Klementina Cenkollari.

Pas debatit të djeshëm shumë ekspertë kanë ngritur pyetjen nëse gafat e Biden ishin të pakorrigjueshme apo të parikuperueshme. Megjithatë kjo mbetet për t’u parë në debatin e dytë mes Biden dhe Trump që pritet të mbahet në Shtator.

/tvklan.al