Atentati mafioz që i mori jetën 43-vjeçarit Gentian Bejtjas më 25 Mars 2024 në Fushë-Krujë ka ngritur pikëpyetje të shumta se cili ka qenë motivi dhe cilët persona ishin të interesuar për ta eliminuar, mbështetur kjo edhe në faktin se ndaj Bejtjas u organizuan 4 atentate.

Një ndër konfliktet që mund të ketë pasur Gentian Bejtja është përmendur edhe për Ervis Martinajn, për ngjarjen që ndodhi më 30 Maj 2020 në një lokal në anë të rrugë në Laç, ku u vranë Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, të dy shokë të Vis Martinaj. (Shiko këtu)

Babai i Gentian Bejtjas ka treguar ekskluzivisht për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus se pas ngjarjes së vitit 2020, i biri u takua me Vis Martinajn pasi kishte dyshime se ai mund të ishte i përfshirë në atentat. Por nga biseda mes tyre, palët u sqaruan se Gentian Bejtja nuk ka pasur gisht në atë ngjarje.

Një tjetër çështje që është përfolur ka qenë edhe atentati ndaj Brilant Martinajt, kushëririt të Ervis Martinaj, ku mbeti i vrarë.

Spartak Koka: Me Ervis Martinajn çfarë e lidh djalin tënd?

Gani Bejtja: Asnjë gjë. I kanë çuar emrin Gentian Bejtjes për vrasjen e Paulin Gjergjit dhe Bujar Lika, ata ishin shokët e Ervis Martinajt. I kanë çuar emrin e djalit tim Ervis Martinajt, e ka vrarë Gentian Bejtja. Ishte ato ditë pa u gjetur. Në 7 të mëngjesit, kishte dëgjuar një shokë nga Fushë-Kuqja që e njihte Gentin, edhe ka ardhur këtu, e gjej në 07:00 të mëngjesit te porta. Shkoj unë. Tha jam nga Fushë-Kuqja, kam një fjalë me Gentin e kam shok. Tha e pres te klubi. Mirë i thashë unë. Ka shkuar e ka takuar atje, kanë ikur në makinë. I tha a vjen të ballafaqohemi? Po i tha.

Spartak Koka: Është takuar me Vis Martinajn?

Gani Bejtja: Po është takuar me të. Kur ka shkuar atje, jo ka thënë, s’është ky tha. Ka qenë një i dobët, tha. Djali im është 120 kile. Ka qenë një i dobët ai që është plagosur. Edhe dolën që ishin 4 vetë.

Spartak Koka: U tha që më mbrapa kishte krijuar marrëdhënie shoqërore me Ervis Martinajn?

Gani Bejtja: Unë sé di. Kanë thënë mediat edhe që i ka bërë atentat Brilant Martinajt. Djali im ka qenë në Shëngjin në plazh me gjithë kalamajtë.

Spartak Koka: Për këtë atentat u tha që pas marrëdhënies shoqërore, kishte tradhtuar Ervis Martinajn dhe i kishte prerë në besë djalin e xhaxhait.

Gani Bejtja: Asnjëherë në botë.

Spartak Koka: E ka të provuar që ka qenë në Shëngjin?

Gani Bejtja: Po si s’ka qenë, e kam marrë në telefon. Kur dëgjova armët unë që krisën, e kam marrë në telefon. Ku je? Jam në Shëngjin, tha, me kalamajtë.

Spartak Koka: E kanë marrë në pyetje për këtë ngjarje?

Gani Bejtja: Jo.

/tvklan.al