Nuk janë vetëm kongresmenët amerikanë atë të cilët kërkojnë tërheqjen nga gara presidenciale të presidentit Joe Biden, por edhe personazhe të famshëm. Këtyre thirrjeve u është bashkuar edhe aktori i njohur Hollivudit, George Clooney.
Në një shkrim për “New York Times, fituesi i çmimit Oscar ka sqaruar se ai mbetet një demokrat i përjetshëm, por mendon se Biden duhet të largohet për shkak të moshës.
“Unë e adhuroj Joe Biden. Si senator. Si nënkryetar dhe si president. Unë e konsideroj atë një mik dhe besoj tek ai. Besoj tek karakteri i tij. Besoj tek parimet e tij morale. Në katër vitet e fundit, ai ka fituar shumë nga betejat me të cilat është përballur, por e vetmja betejë që ai nuk mund ta fitojë është lufta kundër kohës.”
Aktori tha se ndryshimi i kandidatëve në një interval të shkurtër kohor do t’i shërbente partistë. Një numër në rritje demokratësh janë të shqetësuar se 81 vjeçari, nuk mund ta mposhtë Trumpin në zgjedhjet e 5 nëntorit, sidomos pas performancës së tij të dobët gjatë debatit ‘kokë me kokë’ me kundërshtarin e tij politik më 27 qershor.
Megjithatë, Biden vazhdon të argumentojë se ai është i aftë për të mposhtur ish-presidentin Trump, të cilin ai e konsideron një kërcënim për demokracinë amerikane.
Klan News