Një çift të moshuarish janë gjetur të pajetë mesnatën e së mërkurës në banesën e tyre në fshatin Bodrisht të Dropullit.
Bëhet fjalë për bashkëshortët, Kosta dhe Kleoniqi Ilia, përkatësisht 84 dhe 88 vjeç të cilët jetonin të vetëm në banesën e tyre.
Ishin fqinjët ata që njoftuan policinë, të cilët pas këqyrjes së trupave të viktimave konstatuan shenja dhune të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga mjete të forta rrethanore.
Sakaq nga verifikimet e bëra në shtëpinë e çiftit Ilia, policia njofton se nuk ka konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive.
Fqinjë të të moshuarve deklarojnë se ata ishin një çift pa probleme dhe jetonin të vetëm.
“Ishin çift i lumtur, nuk kishin as fëmijë, asgjë. Ishin njëri për tjetrin”, tha njëra prej tyre.
Për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë policia po kryen verifikime në disa pista, ndërsa në pyetje janë marrë të afërm të të moshuarve të cilët mund të japin të dhëna të vlefshme për hetimin.
Tv Klan