Një çift është gjetur i pajetë nga fqinjët e tyre në fshatin Bodrishtë të Dropullit këtë të enjte. Bëhet fjalë për dy të moshuar, Kosta dhe Kleoniqi Ilia, 84 dhe 88 vjeç.
Dy të moshuarit janë gjetur me shenja dhune në trup, çka ka hedhur dyshimet se bëhet fjalë për një krim të ndodhur ndaj tyre. Megjithatë, policia thotë se në banesë nuk ka konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve. Njëkohësisht nuk ka pasur çrregullime të orendive brenda shtëpisë.
“Rreth orës 08:00, janë gjetur nga fqinjët, të pajetë, në banesën e tyre në fshatin Bodrisht, shtetasit Kosta Ilia, 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe (bashkëshortë). Nga këqyrjet paraprake të trupave të 2 shtetasve, janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore. Gjithashtu, nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive”, njoftoi policia.
Uniformat blu ndodhen në vendin e ngjarjes dhe së bashku me prokurorinë po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat dhe për të zbuluar se çfarë fshihet nga pas.
Ndërkohë, banorë të zonës thanë se çifti jetonte vetëm dhe nuk kishte fëmijë (Lexo më shumë)./tvklan.al