Dy gra u gjetën të vrara në shtëpinë e tyre këtë të shtunë në Devoll. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Progër. Viktimat janë Fatmira Bami, rreth 60 vjeçe dhe vjehrra e saj Bukurie Bami, rreth 80 vjeçe. Trupat e pajetë të dy grave, të cilat dyshohet se janë dhunuar për vdekje, u gjetën nga kryeplaku i fshatit, rreth orës 15:15.
Paraprakisht dyshohet se dy gratë janë vrarë gjatë një tentative grabitjeje të ndodhur gjatë natës.
Korrespondentja e Tv Klan në Korçë, Daniela Zisi, thotë autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë është Ali Zili, 36 vjeç, i cili u arrestua nga policia pak kohë pas zbulimit të trupave të pajetë. Ai është banues i fshatit dhe rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Zili mësohet se e ka pranuar krimin makabër.
Viktimat mësohet se janë gjetur me plagë të shumta në të gjithë trupin e fytyrë.
Banorët e fshatit për gazetaren Daniela Zisi thonë se 36-vjeçari ishte problematik, e se kishte pasur sjellje të shumta kriminale në të shkuarën.
“Fshatar e kemi, si se njohim. I dhunshëm, me precedentë, me të tëra. Atë fshati ta varë aty ku duhet varë. Ai se ka herën e parë, e ka herën e 100. Policia e Devollit e merr e lëshon”.
Njoftimi i policisë
Policia identifikon dhe kap në kohë rekord, autorin e dyshuar të vrasjes së dy shtetaseve në fshatin Progër. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, pas njoftimit të marrë se në fshatin Progër, Devoll, ishin gjetur të pajeta dhe me shenja dhune në banesën e tyre shtetaset F. B., dhe B. B., menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes.
Falë reagimit të menjëhershëm, veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, krehjes së zonës dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin A. Z., 36 vjeç, banues në fshatin Progër.
Ky shtetas dyshohet se ka hyrë për të vjedhur në banesën e viktimave dhe kur ka hasur në rezistencën e tyre, i ka dhunuar ato me sende të forta duke ju shkaktuar vdekjen.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /tvklan.al