Hetuesit në Shtetet e Bashkuara nuk kanë ende një pistë të qartë për shkaqet e aksidentit tragjik ajror të natës së të mërkurës në Uashington, ku nga përplasja e një helikopteri ushtarak me një avion pasagjerës humbën jetën 67 persona.
Ekipet e emergjencës nxorrën kutitë e zeza të avionit të ndarë në tre pjesë nga mbetjet e që ndodhen në lumin Potomak. Janë hedhur dyshime se ka patur mungesë koordinimi të saktë nga kulla e kontrollit të aeroportit, pasi helikopteri ushtarak Black Haëk fluturonte jashtë kursit të lejuar.
Ekspertët thanë për mediat amerikane se në regjistrimin zanor të publikuar, punonjësit e kullës së kontrollit u japin pilotëve të helikopterit shpjegime shumë të paqarta për rrugën që duhet të ndjekë.
Në një konferencë për mediat, policia tha se deri më tani janë nxjerrë 41 trupa nga lumi Potomak, ndërsa ka ende 26 trupa për t’u nxjerrë. Kjo cilësohet si tragjedia më e rëndë ajrore në Shtetet e Bashkuara në njëzet e tre vitet e fundit.
Tv Klan