Një nënë me 3 fëmijë të mbytur, ky është bilanci tragjik që ditën e sotme ka shuar të gjitha shpresat për të mbijetuar. Kërkimet për gjetjen e trupave kanë përfunduar para disa minutash kur është gjetur dhe trupi i nënës, Alma Arrazit në ujërat e lumit Buna në afërsi të fshatit Pentar.
Më herët gjatë ditës së sotme është gjetur dhe trupi i fëmijës së mitur 3-vjeçar, ndërkohë që gjatë 2 ditëve të fundit janë gjetur trupat e pajetë të vajzave të familjes, përkatësisht 8 dhe 9 vjeç.
Ngjarja në Shkodër që ka sjellë mbytjen e nënës me 3 fëmijët e saj, dyshohet se ka pasur si shkak dhunën që babai ushtronte mbi familjen e tij. Për rastin e rëndë, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 31-vjeçarin Ergys Arrazi për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së tyre si pasojë e dhunës. (LEXO MË SHUMË)
Ka qenë 31-vjeçari që ka kallëzuar në polici më 3 Maj se 1 ditë më parë ishin larguar nga banesa bashkëshortja e tij, 39-vjeçarja Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e tyre të mitur, përkatësisht 9, 8 dhe 3 vjeç. Mënjëherë më pas, është ngritur një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.
Ka qenë një peshkatar i zonës që ka konstatuar trupin e 9-vjeçares Arrazi më 4 Maj rreth orës 22:00 në ujërat e lumit Buna në fshatin Darragjat, gjë që ka intensifikuar kërkimet me pistën e vetëvrasjes dhe vetëm një ditë më pas janë krijuar dyshime të arsyeshme se Alma Arrazi së bashku me fëmijët e saj është hedhur nga ura e Bunës./tvklan.al