Ngjarja e rëndë në Shkodër që dyshohet se ka sjellë mbytjen e nënës me 3 fëmijët e saj, dyshohet se ka pasur si shkak dhunën që babai ushtronte mbi familjen e tij.

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë, ku thuhet se 9-vjeçarja që është gjetur e pajetë, është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj. Trupi i të miturës është gjetur mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00 në ujërat e lumit Buna në fshatin Darragjat.

Foto: Nëna, Alma Arrazi me 3 fëmijët e saj

Për rastin e rëndë, policia ka vënë në pranga 31-vjeçarin Ergys Arrazi për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës.

Ka qenë 31-vjeçari që ka kallëzuar në polici më 3 Maj se 1 ditë më parë ishin larguar nga banesa bashkëshortja e tij, 39-vjeçarja Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e tyre të mitur, përkatësisht 9, 8 dhe 3 vjeç. Mënjëherë më pas, është ngritur një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.

Në foto: Ergys Arrazi, babai i 3 fëmijëve

Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje. Policia njofton se 31-vjeçari, u ndalua ditën e djeshme dhe ka qenë i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike.

Korrespondentja e Klan News, Emi Kalaja ka mësuar detaje të reja për ngjarjen. Sipas këtyre burimeve, Alma Arrazi dhe 3 fëmijët kanë dalë me nusen e vëllait të Ergysit dhe më pas janë ndarë në mënyrë të qetë pa ngritur dyshime për aktin fakt që 39-vjeçarja do të ndërmerrte: Ajo dhe fëmijët e saj dyshohet se janë hedhur nga Ura e Bunës. Përveç dhunës që 31-vjeçari ushtronte mbi të dhe fëmijët, mësohet se Alma Arrazi kishte mësuar se fundmi dhe tradhti bashkëshortore nga i shoqi.

Ndërkohë, babai i fëmijëve të mbytur dhe bashkëshorti i gruas, i cili u arrestua nga policia e Shkodrës ka refuzuar të japë detaje para uniformave blu lidhur me marrëdhënien dhe akuzat e ngritura ndaj tij të shkaktimit të vetëvrasjes së gruas dhe 3 fëmijëve. Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj ka mësuar se 31-vjeçari është treguar i ftohtë dhe fjalëpak gjatë marrjes në pyetje. 31-vjeçari ka mohuar dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve dhe gruas. Ai nuk ka shfaqur asnjë ndjesi kur policia i ka dhënë lajmin për dyshimet që ekzistojnë për vdekjen e fëmijëve dhe të gruas. Sipas policisë, ai ushtronte më shumë dhunë psikologjike sesa fizike.

Pas denoncimit për zhdukjen e tyre ka qenë motra e Alma Ajazit, e cila ka dëshmuar para uniformave blu për dhunën që ushtronte 31-vjeçari ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve. Kjo ka shërbyer si Indicie për të kryer hetime. Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.


Njoftimi i policisë:

Hetimet e thelluara zbardhin një rast të dhunës në familje, që shkaktoi vetëvrasje.

Vihet në pranga 31-vjecari, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës.

9-vjeçarja ështe gjetur e pajetë, dyshohet e vetëmbytur në lumin Buna.

Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.

Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.

Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.

Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.

Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.

Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht punën për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.


/tvklan.al