Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Trupa mbrojtëse e Kosovës, së shpejti është e zonja të marrë vetë sigurinë e vendit në dorë. Kështu ka shprehur besimin e tij, komandanti i kësaj njësie gjeneral Agim Çeku. I ftuar zyrtarisht nga ministri ynë i mbrojtjes Ismail Lleshi, gjeneral Agim Çeku, si përfaqësues më i lartë legjitim, i njërit nga institucionet më të rëndësishme kosovare, solli falënderimet për përkrahjen e shtetit shqiptar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ministri Lleshi, e vlerësoi luftën e Kosovës, një moment kulmor në historinë tonë, që kornizoi kontributin mbarë shqiptarë për Kosovën. Pasdite vonë komandanti i trupave mbrojtëse të Kosovës, gjeneral Agim Çeku, u prit nga kryeministri Meta. Më pas Meta dhe Çeku dolën në një konferencë shtypi.

Kryeministri lir Meta:- “Diskutuam rreth zhvillimeve të fundit në Maqedoni dhe kemi ndarë të njëjtin qëndrim, se të drejtat e shqiptarëve të cilat duhet të afirmohen më tej në Maqedoni, duhet të ndjekin vetëm rrugën e dialogut, rrugën e afrimit paqësor demokratik. Aktet e dhunës dhe përdorimit të forcës për qeverinë shqiptare janë jo vetëm të papranueshme, por edhe të dënueshme”.

Gjeneral Agim Çeku:- “Mendoj që, platforma të cilën e ka zgjedhur partitë legjitime është platforma e mirë, që të inkuadrojnë popullin shqiptar në institucionet shtetërore të Maqedonisë dhe mendoj që rruga për ta shprehur këtë revoltë është rruga paqësore, janë protestat paqësore, që t’i tregohen dhe autoriteteve europiane, që shqiptarët ende nuk i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe kanë nevojë për to”./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj