Shpërthimet e rasteve të fundit me sëmundjen e fruthit në SHBA ka bërë që Sekretari amerikan i Shëndetësisë Robert Kennedy Jr të ndryshojë qëndrim për vaksinat.

I njohur për skepticizmin e tij ndaj vaksinave Kennedy ka shprehur shqetësimin e tij për rastet që janë përhapur në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Vaksinat, jo vetëm që mbrojnë fëmijët nga fruthi, por kontribuojnë edhe në imunitetin e të gjithëve, duke mbrojtur ata që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore”, shkruan Kennedy në një opinion të dhënë për median Fox News i pyetur rreth kësaj çështje.

Pavarësisht shqetësimit të tij sekretari amerikan mohoi se kemi të bëjmë me një epidemi të fruthit në shba dhe sqaroi se se këto shpërthime të sëmundjes “nuk janë të pazakonta”.

Robert Kennedy Jr tha se punonjësit e shëndetësisë, janë përgjegjës për “të siguruar që informacioni i saktë të shpërndahet në lidhje me sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave dhe të sigurojnë qasje në vaksina për të gjithë ata që i duan ato”.

Deri në fund të Shkurtit, më shumë se 160 raste të fruthit janë regjistruar në SHBA, shumica prej tyre në Teksasin lindor. Edhe pse fruthi u eliminua në SHBA në vitin 2000 falë vaksinimit, vitet e fundit ka pasur një rritje të rasteve të kësaj sëmundje tepër ngjitëse për shkak të uljes së shkallës së vaksinimit pas pandemisë Covid-19, kryesisht për shkak të keqinformimit për vaksinat.

Në fund të Shkurtit në Teksas një fëmijë i pavaksinuar ndërroi jetë nga fruthi, vdekja e parë e regjistruar në Shtetet e Bashkuara në një dekadë.

Klan News