Kjo hapësirë është muzeu më i ri në qytetin e Gjirokastrës. I është dedikuar politikanes dhe shkrimtares Musine Kokalari, e cila për 37 vite gjatë diktaturës vuajti duke u burgosur dhe internuar. Shtëpia e saj u dogj rreth 1 dekadë më parë dhe familjarë të saj vendosën të jepnin një tjetër banesë që u kthye në muze dhe sot mban emrin Muza ime ashtu siç nisnin shkrimet e para të saj.

Në muze gjen gjithçka për jetën e Kokalarit. Së fundmi janë shtuar edhe objekte personale dhe dorëshkrime të politikanes. Është e afërmja e saj, Bibika Kokalari, ajo e cila i ka marrë nga vetë Musineja në ditët e fundit të jetës së saj në Korrik të vitit 1983.

“Këto janë të gjitha korrespondenca dhe këto i gjeta kur kam vajtur kur ajo kishte ndërruar jetë. Në çdo letër që na dërgonte, na thoshte ejani dhe merreni ato që ju kam thënë”, tha Bibika.

Mes lotëve ajo kujton momentet kur këto sende e dorëshkrime i mori nga halla e burrit të saj.

Bibika Kokalari edhe dy vite me parë vendosi që të dorëzonte në Arkivin e Shtetit më shumë se 3 mijë dorëshkrime. Ndërsa këto sende i kishin sugjeruar që ti çonte në muzeun etnografik të qytetit gjë që nuk është pranuar.

“Më thanë njëherë që t’i çoja atje. Jo thashë. Kisha 39 vjet atëherë, por në atë muze nuk i çoj thashë, ai është xhelati i Musinesë”, tha Bibika.

Këto objekte janë me rëndësi për të mësuar më shumë për jetën e politikanes.

Ndonëse është hapur rishtazi, muzeu ka patur interes nga vizitorët. Megjithatë shumë nuk e njohin dhe nuk dinë për jetën e Musine Kokalarit.

Ky muze menaxhohet nga vetë pasardhës të Musine Kokalarit ndërsa i është shtuar qytetit që ka disa muze. Ata janë zgjedhur nga vizitorë të shumtë. Numri i turistëve është më i lartë krahasuar me një vit më parë gjatë periudhës janar-tetor. Më  të zgjedhurit janë muzetë në kala.

Turistët që e zgjedhin qytetin e gurtë nuk janë vetëm vendas, por edhe nga rajoni dhe nga shtete të ndryshme. Interesi i lartë vijon edhe në këto ditë të nëntorit.

Klan News