Ndërsa kreut të shtetit i kanë mbetur edhe pak ditë për tu shprehur në lidhje me ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, shoqata e intelektualëve të burgosur politik Musine Kokalari, i është drejtuar me një letër atij përmes të cilës i kërkon ta dekretojë ligjin pa vonesë.

Kryetari i kësaj shoqate Agim Musta, i cili ka vuajtur për 13 vjet dënimin në burgjet e sistemit totalitar dhe Tomor Aliko, një tjetër i burgosur, shprehen se presidenti po e zvarrit dekretin pa arsye.

Agim Musta: “Ish-të përndjekurit politik dhe sidomos ish-të burgosurit e Shqipërisë janë të befasuar, që presidenti Topi akoma nuk e ka aprovuar këtë ligj, po e zvarrit pa asnjë arsye. Dhe kjo gjë neve më thënë të drejtën na ka revoltuar. Pikërisht sot, të nisur nga vonesa që presidenti Topi i bën këtij ligji, neve jemi drejtuar sot presidentit me një letër, ku kërkojmë takim me të për t’ia shpjeguar gjendjen shpirtërore të ish-burgosurve politikë në lidhje me vonimin e daljes së ligjit të lustracionit, ose hapjes së dosjeve.”

Tomorr Aliko: “Mendoj se kjo që po diskutohet tani është shumë me vonesë dhe unë uroj që parlamenti shqiptar, mori në vendim dhe këtë vendim besoj se presidenti nuk duhet që të mos ta. Neve e këshillojmë si të përndjekur politik që jemi që ta aprovojë atë çka bën parlamenti shqiptar. Si të përndjekur politik kemi vuajtur dhe duam si e si që në institucionet shtetërore, në parlament të mos kemi ata që kemi pasur neve, që na kanë marrë shpirtin gjithë jetën tonë.”

Nisur nga shqetësimet e ngritura nga opozita se ky ligj prek disa norma kushtetuese dhe ka në themel të tij hakmarrjen ndaj disa prokurorëve dhe gjyqtarëve, përfaqësuesit e kësaj shoqate e përjashtojnë kategorikisht hakmarrjen, por theksojnë domosdoshmërinë e pastrimit të institucioneve shtetërore nga ata elementë që kanë dhënë vendime për të marrë jetë njerëzish.

Tomorr Aliko: “Neve nuk kërkojmë hakmarrje, sepse neve nuk duhet të vemi siç bënë ata të bëjmë edhe ne. Se po të ishte ashtu këtë e bënim…se nuk na hynte asnjë gjë në këmbë. Por ne menduam si shqiptarë, unë kam gjithmonë parasysh këshillat e të madhit Mit’hat Frashëri. Mos lyeni duart me gjak, jeni shqiptarë, ata do pendohen një ditë, do vijë ajo ditë, por ndoshta do jetë vonë.”

Agim Musta: “Të vazhdosh pas 18 vjet sistem demokratik, të qëndrojnë prokurorë, hetues, gjyqtarë të diktaturës komuniste që kanë dhënë dënimin me vdekje. Si dënimi i Havzi Nelës me varje në litar në vitin ‘88, dënimi i poetëve Trikon Gjagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi dhe shumë e shumë të tjerë. Mua më duket një paradoks i jashtëzakonshëm që ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Ata duhet të kishin iku kokulur dhe duke kërkuar falje ndaj kësaj shtese që u persekutua pas asnjë faj për 45 vjet me radhë. Dhe nuk u takon të rrinë për asnjë minutë në ato poste që kanë dhe sot.”

Deklarata e bërë nga shoqata e intelektualëve të përndjekur politik, vjen një ditë pas shqetësimit të ngritur nga shoqata Vatra me seli në SHBA, e cila nëpërmjet një letre drejtuar presidentit Topi, i kërkonte këtij të fundit të dekretonte sa më parë ligjin e lustracionit.

Tashmë numërimi mbrapsht ka filluar dhe kreut të shtetit i kanë mbetur edhe 4 ditë kohë për të thënë fjalën e tij, që në gjuhën kushtetuese do të thotë firmosje ose jo e dekretit… /tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro