Gjykata e Posaçme ka kërkuar rëndimin e akuzës për ish ministrin Ilir Beqaj në lidhje me dosjen e sterilizimit. Në seancën e kësaj të hëne, gjykata kërkoi që ai të gjykohet për vjedhje, duke shpërdoruar detyrën dhe grup të strukturuar kriminal. Aktualisht mbi të rëndon akuza shpërdorim detyre.

Gjithashtu është kërkuar rikualifikim i akuzës edhe për ish-zv. Ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Ky i fundit, pasi dëgjoi kërkesën e Gjykatës, humbi ndjenjat në seancë.
Beqaj ka mohuar akuzën duke ngritur pyetjen se ku janë paratë që ka vjedhur.

Prokurorët Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili u shprehën se pranojnë të ngrenë akuzat që kërkon gjykata, por shtuan se akuzat e ngritura nga SPAK janë të drejta. Avokatët kërkuan kohë, ndërsa u vendos që seanca e radhës të jetë më 9 janar.

Në lidhje me këtë dosje, Ilir Beqaj po hetohet nën masën detyrim paraqitje. Por ish ministri ndodhet në burg për një tjetër çështje hetimore. Prokuroria e Posacme e akuzon se në kohën kur ka mbajtur postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAK, ka abuzuar me fondet e Bashkimit Europian. Ai ka bërë rekurs në gjykatën e lartë për këtë vendim të Apelit.

SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes të pasurisë, mashtrimit dhe pabarazisë në tendera. Ilir Beqaj u vendos në pranga më datë 4 korrik të këtij viti së bashku me Ermal Kurtulajn e Alfred Nikollaj.

Klan News