Cilat ishin rolet e të arrestuarve dhe emrave që përmenden në dosjen prej 110 faqesh
6 të dyshuarit për 4 ngjarje të rënda kriminale do të qëndrojnë në qeli. Gjykata e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurimit arrest në burg. Në qeli kanë mbetur prokurori Xhevahir Lita, ish-shefi i forcave opracionale Oltion Bistri, biznesmeni Pëllumb Gjoka, shoqëruesi i tij Edmond Preka, ish-policin Ardit Hasanbega dhe Asmer Bilali.
Burime bëjnë me dije se në seancë ka pasur debate të shumta mes palëve. Avokatët kanë kundërshtuar mënyrën e marrjes së komunikimeve në aplikacionet e koduara ENCROCHAT dhe SKY ECC. Sipas tyre SPAK nuk ka arritur që të provojë lidhjet mes personave të arrestuar. Avokati i biznesmenit Pëllumb Gjoka, Ylli Manjani, mohoi akuzat e SPAK për klientin e tij.
“Për fatin e keq janë spekulime, prokuroria ishte shumë e qartë. Flitet për persona nën hetim dhe flitet për indicie. Indicie të cilat janë marrë me një letër porosi nga franca. I gjithë informacioni që ka ardhur nga Franca ka tre probleme ligjore, t’ua them fare thjesht. E para, mënyra si është marrë nuk është e qartë. E dyta , si lidhen ato që thuhena ty me personat dhe e treta, si lidhen ngjarjet e pretenduara në indicie me veprimet konkrete, me pasojat që kanë ardhur. Të gjtiha këto janë spekulime kështu që do ju lutesha shumë, mos merrni njerëz më qafë”.
Në detajet e reja të zbardhura nga dosja hetimore thuhet se Edmond Preka është personi i cili ka larguar nga vendi i ngjarjes autorët e vrasjes së Gjon Ndojit Boriçit në 9 Gusht të 2020. Po ashtu Preka ka mbajtur nën vëzhgim edhe Kleant Musabelliun, duke I dhënë informacione grupit të Ervis Martinajt, që kishte marrë përsipër vrasjen. Atentati nuk u realizua për arsye të cilët ende nuk dihen.
Ky plan, fillimisht në bazë të transkripteve, ishte marrë përsipër nga Behar Bajri, i cili flet me Gjokën dhe i thotë se kishte gjetur 3 shtetas të huaj, një arab, një nga Kosova dhe një serb. Ata kërkonin 100 mijë Euro, teksa Gjoka i thotë që nëse është nevoja jepu më shumë.
Në kërkim vazhdojnë që të jenë 9 persona të tjerë, mes tyre dhe Aleks Ndreka, i cili njihet si Leksi i druve. Ky është një personazh më shumë dritëhije, i cili ka qenë në shënjestër të 3 atentateve, njëri prej të cilëve me dron. Sipas burimeve, Leksi i druve ndodhet në Itali për arsye shëndetësore.
Klan News