Fillimi i seancës së sotme plenare është shënuar me debate mes deputetëve opozitarë dhe kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi rreth futjes në rend dite të ndryshimeve në Kodin Penal.

Një ndër deputetët që kundërshtoi këtë vendim ishte Kujtim Gjuzi. Madje replikat mes tij dhe kryeparlamentarit Ruçi janë pritur me të qeshura nga deputetët e tjerë në sallë.

Sipas Gjuzit, Kuvendi nuk është mbledhur për 44 ditë dhe në këtë mënyrë është shkelur Kushtetuta. Në këto 44 ditë vendi është në grusht shteti të Edi Ramës, tha Gjuzi. Ai i kërkoi Ruçit, të shtonte minutazhin e deputetëve të opozitës për të folur.

Teksa Ruçi ka përmendur fjalën “i dashur” duke iu drejtuar Gjuzit, kjo nuk i ka pëlqyer deputetit, i cili tha “nuk jam i dashuri jot”. Kjo replikë u prit me humor nga të gjithë deputetët.

Gramoz Ruçi: I dashur… Mesa duket edhe juve flisni…

Kujtim Gjuzi: Të lutem përdor etikë, nuk jam i dashuri jot. Dakord? Të lutem!

Gramoz Ruçi: Ma kërkon etika dhe njerëzillëku se mirë e ke që ndoshta nuk e meriton të jesh i dashuri im.

Kujtim Gjuzi: S’mund të jem i dashuri jot

Gramoz Ruçi: Nuk ke të drejtë të anatemosh vakancën e anatemuar nga seanca e jashtëzakonshme. Duhet të punosh më shumë që të kuptosh se ç’kanë bërë parlamentet e tjera./tvklan.al