Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, në një letër drejtuar  Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, e falenderon për prezantimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë mbi “Hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe miratimin e planit të masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian”. 

Sassoli thotë se PE-ja do ta mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit europian dhe shpreh besimin se bashkëpunimi do të rritet në të ardhmen.

“Kam ndjekur nga afër përparimin që ka bërë Shqipëria drejt integrimit të saj në Bashkimin Europian. Raporti i Komisionit Europian pasqyron përparimin që ka bërë vendi Juaj drejt plotësimit të kritereve të përcaktuara nga Këshilli në konkluzionet e tij të datës 26 mars 2020. Vlerësoj angazhimin e autoriteteve shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian. Të jeni të sigurtë se Parlamenti Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE. Vlerësoj bashkëpunimin midis Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë, ndër të tjera bashkëpunimin në kuadër të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri dhe jam i bindur se ky bashkëpunim do të rritet në mënyrë progresive në të ardhmen”, shkruan në letrën e tij drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Presidenti i Parlamentit Europian./tvklan.al