Për afro 5 orë, në një seancë me dyer të mbyllura për publikun, Nuredin Dumani, bashkëpunëtori i drejtësisë, tregoi përballë gjykatës për krimet që ka kryer në bashkëpunim me 14 të pandehurit e tjerë në këtë proces.
Seanca për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë” u shoqërua me debate dhe tensione mes tij dhe të pandehurve që e konsiderojnë dëshminë e të penduarit si mashtrim.
Ata pretenduan që Dumani ka gënjyer kur i ka bërë ata bashkëpunëtorë, disa në cilësinë e porositësve në krimet që datojnë nga viti 2013 deri në 2021-in.
Dy seanca më parë Gjykata me kërkesë të SPAK vendosi që ta dëgjojë në sekret dëshminë e bashkëpunëtorit, pa praninë e medias në sallë, por kjo u bë gjithashtu shkak për debate në seancë.
Të pandehurit kërkojnë praninë e medias më proces, për të dokumentuar sipas tyre mashtrimet e Dumanit.
Nga ana tjetër, përballë këtyre pretendimeve, SPAK thotë se ka arritur të verifikojë vërtetësinë e dëshmisë së tij dhe ka ngritur akuza për të pandehurit për 4 vrasje, disa grabitje me dhunë dhe sigurim të kushteve për vrasje.
Tv Klan