Portugezi kërkoi ndryshimin e masës, avokati: Nuk ka prova për përfshirjen e tij
Portugezi Ruben Saraiva do të vijojë të qëndrojë në qeli, nën akuzën e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin. 28-vjeçari kërkoi masë më të lehtë sigurie, por nuk u pranua nga gjyqtari Ilir Perdeda. Avokati i portugezit Ruben Saraiva, Kujtim Cakrani tha në gjykatë se nuk ka prova që e implikojnë klientin e tij në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Pas vendimit të togave të zeza, për mediat Cakrani tha se ekziston vetëm dëshmia e një gruaje, që është marrë në mënyrë të paligjshme nga oficerët e Policisë Gjyqësore, pasi ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike.
“Prova e vetme që ka Prokuroria është një, dëshmi të një zonje që oficerët e policisë e kanë marrë në mënyrë të paligjshme, nën presionin psikologjik që i kanë bërë. E kanë manipuluar, ka firmosur pa praninë e avokatit dhe kjo përbën një shkelje shumë të rëndë.”
Avokati Cakrani paralajmëroi se vendimi ndaj Ruben Saraivës, do të dërgohet në Gjykatën e Apelit. Saraiva erdhi në Shqipëri në 14 Shkurt të 2023. Sipas Policisë dhe Prokurorisë së Lezhës ai mbërriti në vendin tonë për të finalizuar planin e thurur dhe financuar nga Edmond Haxhia, tashmë i arrestuar në Britani, të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj. Gjithashtu i arrestuar si një nga bashkëpunëtorët kryesore të ngjarjes, është edhe Harry Simpson, i cili u lagua nga Rinasi me destinacion Anglinë. Në Britaninë e Madhe ndodhen të ndaluar dhe kanë nisur procedurat e ekstradimit, 4 nga autorët e ngjarjes, 3 britanikët vëzhgues dhe Edmond Haxhia. Autoritetet thonë se ngjarja kishte motiv gjakmarrjen.
Klan News