Edhe grupi i dytë i emigrantëve të ndaluar në kampin e Gjadrit u kthye në Itali. Ishte sërish vendimi i Gjykatës së Romës që refuzoi të miratojë ndalimin e këtij grupi prej 7 emigrantësh në qendrën e Shqipërisë dhe e dërgon këtë çështje në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.

Ky veprim paraqet një goditje të re për planin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për të dërguar emigrantët në dy qendra pritjeje në Shqipëri, duke vazhduar përplasjen me gjyqësorin. Sipas agjencisë italiane të lajmeve, Ansa, Ministria e Brendshme do ta kundërshtojë vendimin e gjykatësve të Romës në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.

Kjo është hera e dytë që gjykata e migracionit merr vendim kundër planit të Melonit. Më 18 tetor, gjykatësit refuzuan urdhrat e ndalimit për grupin e parë të emigrantëve dhe urdhëruan kthimin e tyre në Itali. Grupi i dytë i azilkërkuesve përbëhet nga 7 emigrantë, 5 nga Bangladeshi dhe 2 nga Egjipti.

Pas vendimit të parë të Gjykatës së Romës, qeveria Meloni ndërhyri me një dekret për të përcaktuar vendet e ashtuquajtura të sigurta origjine. Por Gjykata e Romës saktëson se kriteret për caktimin e një shteti vend i sigurtë, duhet të bazohen në ligjin e Bashkimit Europian.

“Kriteret për përcaktimin e një shteti si vend i sigurtë origjine bazohen në ligjin e Bashkimit Europian. Prandaj, pa cenuar të drejtat e ligjvënësit kombëtar, gjyqtari ka për detyrë të verifikojë gjithmonë, si në çdo sektor tjetër të sistemit juridik, zbatimin e drejtë i së drejtës europiane, që prevalon ndaj ligjit kombëtar kur është i papajtueshëm me të, siç parashikohet edhe nga Kushtetuta italiane”.

Reagimet politike pas vendimit të gjykatës ishin të menjëhershme. Aleatit i Melonit, ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha se “disa magjistratë duhet t’i diktojnë linjë politike qeverisë. Në demokraci ka një ndarje pushtetesh.” Ndërsa zëvendëskryeministri Matteo Salvini komentoi: “Tjetër dënim politik kundër italianëve, do të reagojmë”

Është e paqartë se sa kohë do t’i duhet Gjykatës Europiane të Drejtësisë për t’iu përgjigjur pyetjeve të magjistratëve italianë në lidhje me përcaktimin e vendeve të sigurta. Opozita e akuzon Melonin se po shkel të drejtat e njeriut. Ndërsa kryeministrja ka theksuar se ata që e kundërshtojnë janë të lidhur me botën e trafikut të qenieve njerëzore.

Klan News