Anija ushtarake italiane “Cassiopea”, e nisur të premten nga ishulli Lampedusa-s, ka mbërritur këtë të martë në portin e Shëngjinit.
Në bordin e saj ndodhen 49 emigrantë të paligjshëm me kombësi nga Egjipti, Bangladeshi, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.
Policia e Shtetit njoftoi se pas ankorimit të anijes janë marrë të gjitha masat për zbatimin e procedurave kufitare me qëllim akomodimin në kampin e Gjadrit të emigrantëve.
“Në portin e Shëngjinit u ankorua anija e marinës italiane, me 49 emigrantë në bord, të cilët pas procedurave të verifikimit do të akomodohen në kampin e ngritur në Gjadër, Lezhë. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për sigurinë dhe për zbatimin e procedurave të përshpejtuara kufitare”, njoftoi policia.
Anija ushtarake “Casiopea” ishte parashikuar të mbërrinte në ujërat shqiptare mëngjesin e së hënës së 27 Janarit, por për shkak të një defekti që pësoi, shtyu lundrimin e saj për të martën e 28 Janarit.
Ky është kontigjenti i tretë i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Shqipëri.
Më 16 Tetor dhe 8 Nëntor 2024, anija luftarake “Libra” solli në Shqipëri dy kontigjentë më 24 emigrantë, kryesisht nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët pas vendimit të gjykatës italiane, u rikthyen në vendet e origjinës, pasi këto dy shtete u cilësuan si vende të sigurta.
Klan News