Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka përgëzuar Policinë Durrës dhe Tiranë për goditjen e një tjetër baze që shërbente për furnizimin me armë zjarri dhe municione luftarake për grupet kriminale. Në një postim në “Facebook”, ministri Balla shkruan se goditja e rrjeteve që furnizojnë grupet kriminale me armë apo arrestimi i personave që qarkullojnë me armë janë detyrë kryesore e policisë.
“Policia e Shtetit po godet çdo ditë fenomenin e armëmbajtjes pa leje. Përgëzime Drejtorive Vendore, Durrës dhe Tiranë për goditjen e një tjetër baze që shërbente për furnizimin me armë zjarri të grupeve kriminale dhe të një rrjeti trafiku armësh zjarri. Goditja e rrjeteve që furnizojnë grupet kriminale me armë apo arrestimi i shtetasve që qarkullojnë me armë janë detyrë kryesore e Policisë.”
Sjellim në vëmendje se gjatë paradites së sotme, policia ka njoftuar se është zbuluar një tjetër bazë që shërbente për furnizimin e grupeve kriminale në Sukth. Aty mbaheshin armë zjarri, sasi e madhe fishekësh të kalibrave të ndryshme dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat dyshohet se do t’i shërbenin grupeve kriminale.
2 ditë më parë, Policia e Durrësit zbuloi një tjetër bazë kriminale, nga e cila u sekuestruan 4 kallashnikovë, 20 krehra dhe një sasi e madhe fishekësh në fshatin Shkallnur në një banesë të pabanuar dhe gjysmë të ndërtuar. Ndërkohë, javën e kaluar edhe në fshatin Babicë të Vlorës u gjet një bazë armatimesh që shërbente për grupet kriminale./tvklan.al