Kryeministri Edi Rama përgëzoi Policinë e Shtetit lidhur me operacionin e fundit të zhvilluara në disa qytete të vendit. Rama ka falënderuar punonjësit e Policisë për punë e mirë. Në një status në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë tha, se rezultatet po vijnë si shpërblim i një pune të palodhur.
“Falenderoj dhe nxis Policinë e Shtetit për të vijuar papushim më tej punën e mirë👏
Rezultatet që po vijnë si shpërblim i një pune të palodhur, janë vërtet shumë inkurajuese.
Në pak ditë e deri në orët e fundit, Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses 5 operacione të rëndësishme kundër krimit të organizuar👍
-
Në Tiranë, u arrestuan në kohë rekord autori i dyshuar si ekzekutor dhe 3 bashkëpunëtorët e tij, në ngjarjen e ndodhur në 29 janar, ku mbeti i vdekur një person.
-
Në Shkodër, u zbardh ngjarja tronditëse e datës 13 janar, ku të plagosur nga një shpërthim i telekomanduar mbeten 8 persona, përfshirë këtu edhe objektivin e sulmit. U arrestuan 2 autorët e dyshuar.
-
Në Elbasan, u godit një grup i strukturuar kriminal, me 5 persona të arrestuar dhe 1 në kërkim; u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lëndësh plasëse, armë, para dhe kanabis.
-
Në Fier, u zbardh vjedhja me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, e 4 Exchange-ve, ndodhur ditët e fundit. U arrestua autori i dyshuar.
-
Në Lezhë, u sekuestruan 1.4 milion euro pasuri me burim të dyshuar kriminal, në një operacion të finalizuar një ditë më parë.”