Mes kaosit të krijuar nga deputetët e opozitës, ambasadori i bashkimit euriopian, Gonzato hyri në Parlament për t’i dorëzuar progres-raportin kryetares Elisa Spiropali.
Jo pak të çuditur u shfaqën deputetët e opozitës që protestonin para hyrjes. Ata i hapën rrugën diplomatit që pati pak konfuzion për të hyrë në Parlament.
Takimi zgjati pak minuta dhe në dalje, ambasadori Gonzato pati një mesazh për opozitën, deputetët e së cilës u larguan disa metra.
“Parlamenti është një vend shumë i rëndësishëm. Duhen marrë të gjitha reformat për të përmirësuar progresin. Progresi për të mirën e Shqipërisë nuk është vetëm detyrë e mazhorancës. Opozita ta kryejë rolin e saj brenda Kuvendit. Nuk dua të komentoj për protestën e opozitës.”
Më herët, Ambasadori Gonzato i dorëzoi Raportin e Progresit të Shqipërisë Presidentit Begaj.
“Ditë e mirë për Shqipërinë”, – u shpreh Begaj duke iu referuar hapjes së negociatave për kapitujt themelorë.
Kreu i Shtetit e vlerësoi progres-raportin 2024 si nxitje për të gjithë aktorët shqiptarë, që të punojnë së bashku edhe më fort në arritjen e objektivit të përshpejtimit të procesit që synon anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.