Opsioni Street View në Google Maps ka sjellë arrestimin e një çifti për vrasje pasi në të dukej një burrë që po fuste qese plastike në bagazhin e makinës.
Gruaja e viktimës dhe ish i dashuri i saj janë arrestuar pasi gjetjes së mbetjeve të viktimës rreth një vit pas zhdukjes në një varrezë në Spanjë.
Policia ka deklaruar se imazhi në Google ndihmoi në arrestimin e çiftit në Andaluz të Spanjës. Në foto, një burrë i veshur me xhinse dhe jelek shihet duke futur qese të bardha në bagazhin e një makine të kuqe.
Autoritetet gjetën pjesën e kraharorit që i përkiste kubanezit 33-vjeçar që humbi nëntorin e shkuar. Mediat lokale kanë deklaruar se viktima u kthye nga Kuba për të takuar të shoqen, por e gjeti duke e tradhtuar.
Autori i dyshuar është një spanjoll, pronar i një bari dhe mban pseudonimin “Ujku i Tayueco” që vjen nga një fshat pranë varrezës ku është shkrepur fotoja e Google.
Një zëdhënës i policisë tha se mbetjet e viktimës u zbuluan përmes “metodave të përparuara”. “Një nga pistat që hetuesit po ndiqnin ishin imazhet nga një aplikacion vendndodhjeje. Në mesazhet që mori familja e viktimës thuhej se ai kishte njohur një vajzë dhe nuk do ta përdorte më celularin. Një i afërm dyshoi që mesazhet po i dërgonte dikush tjetër dhe lajmëroi policinë”.
Mbetjet e gjetura në varreza nuk janë identifikuar, por policia beson se i përkasin viktimës. Hetimet janë ende në vijim./tvklan.al