Klan News siguron pamjet kur autorët mësyjnë banesën e biznesmenit. Policia ka prova të forta për hajdutët

Televizioni Klan News ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë, kur grabitësit mësynë banesën e biznesmenit në Nikël, Nazmi Çangu. Grabitësi i parë futet në oborrin e shtëpisë, në orën 1 e 26 minuta të datës 23 Tetor. Hajduti tenton të hapë 2 makinat e parkuara në oborr, e më tej lëviz pas vilës dhe hap këtë portë nga futen edhe grabitësit e tjerë. Më pas ai nxiton të dalë jashtë murit rrethues, siç edhe nga pamjet e filmuara nga kamerat e shtëpisë ngjitur, pasi kamerat e sigurisë së vilës së biznesmenit nuk punonin.

Fakti që kamerat e sigurisë nuk punonin, ka ngritur dyshime se autorët kanë patur dijeni për këtë fakt dhe vëzhgonin prej kohësh shtëpinë e biznesmenit. Gjithashtu ata kishin dijeni se ai mbante në shtëpi shuma të mëdha parash. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e grabitjes, ka siguruar objekte me të dhëna biologjike si gjurmë gishtat, si dhe një kapuç që dyshohet se i përket njërit prej grabitësve. Krahas tyre është dhe një armë gjahu, fasheta plastike me ngjyrë të zezë pa pjesën mbyllëse, një fishek brave i këputur përgjysmë dhe kapaku i jashtë, si dhe një kapele e zezë me strehë. Provat janë dërguar për ekzaminim në laborator, nëse në to ka shenja gishtash.

Gjithashtu hetuesit mund t’i ndihmojë dhe dëshmia e familjarëve të biznesmenit Çangu. Vajza e biznesmenit, Xhelona Çangu në dëshminë e saj para oficerëve të policisë është shprehur nga e folura e grabitësve dyshon se ishin nga zona e Laçit dhe flisnin me kufje, por nuk dihet ende nëse ishin celulare apo pajisje të tjera elektronike. Sipas deklarimeve të vajzës, njëri prej grabitësve ishte i pamaskuar, dhe kur ajo e ka pikasur ka dëgjuar një nga bashkëpunëtorët, duke i thënë “vendos kapuçin more budallë”. Sipas saj ata i kanë deklaruar që do marrin borxhin që u ka babai i tyre dhe do largohen.

Grupi hetimor këtë të martë i ka kërkuar kompanive celulare që të zbardhë thirrjet telefonike përreth banesës së familjes Çangu ditën që ndodhi ngjarja, çka mund të ndihmojë deri në zbulimin e grabitësve. Përveç parave biznesmeni ka pohuar në polici se autorët krahas parave i kanë marrë dhe një armë gjahu, një shotgan, bizhuteri e monedha flori.

Klan News