Saimir Kuçi doli këtë të mërkurë para Gjykatës së Krujës, ku u njoh me masën e sigurisë arrest me burg. Ai u arrestua nga policia të shtunën, si autori kryesor i grabitjes dhe dhunimit të biznesmenit Nazmi Çangu, në shtëpinë e tij në Nikël të Fushë Krujës.

Kuçi është një emër i njohur për policinë, si pjesë e një grupi me 5 anëtarë, të cilit i janë faktuar të paktën 11 grabitje në Tiranë, Durrës, Kavajë, Berat, Laç e Lezhë në vitet 2017-2018, me një vlerë prej 650 milionë Lekësh. Pikërisht nëpërmjet tij policia arriti të zbulojë grupin që hyri në vilën e biznesmenit mesnatën e 24 Tetorit, duke terrorizuar atë dhe familjen.

Për ngjarjen në fjalë, policia ka shpallur në kërkim disa persona të tjerë, mes tyre edhe personin e konsideruar si “truri i grabitjes”, Artan Prengën, një person me precedentë penalë në vjedhje, grabitje, plagosje e trafik droge.

Biznesmeni Çangu rrëfeu se vlera e sendeve të grabitura arrinte në afro 100 mijë Euro. Policia tha se veç Artan Prengës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe anëtarët e tjerë të bandës së grabitësve./tvklan.al