Gazeta greke “Kathimerini” nuk jep asnjë shpresë për betimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës edhe pse Athina ia doli të bllokojë hapjen e kapitujve të negociatave të Shqipërisë me BE këtë fundvit. Ky qëndrim i kryeministrit Mitsotakis, shkruan Kathimerini, duket se nuk e ka trembur aspak kryeministrin shqiptar, që e lidh çështjen “Beleri” me ruajtjen e pavarësisë së institucioneve të reja të drejtësisë.
Gazeta greke e citon Ramën të ketë thënë se cenimi i reformës në drejtësi bie ndesh me interesin strategjik të Shqipërisë. Në shkrim ngrihet pyetja nëse Greqia është tani aleati më i rëndësishëm dhe më i besueshëm në Europën Juglindore i Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si referencë përmendet mbështetja që mori së fundmi Rama nga kancelari gjerman Olaf Scholz që e konsideroi çështjen Beleri si një “mosmarrëveshje dypalëshe” dhe që sipas Berlinit nuk lidhet me kërkesat e BE-së në lidhje me sundimin e ligjit në shtetet e përfshira në procesin e anëtarësimit.
Kryeministri shqiptar duket se ka bërë një punë të mirë duke i bindur gjermanët dhe amerikanët në veçanti se Beleri është një çështje dypalëshe, një çështje thjesht penale dhe që i takon vetëm sistemit të drejtësisë shqiptare, që sipas tij tashmë është pa diskutim i pavarur. Rama, thekson Kathimerini, nuk humbet asnjëherë rastin, kur komenton aferën Beleri, t’u kujtojë europianëve se prokuroria, gjykatat dhe policia shqiptare aspirojnë standardet e vendosura nga Europa Bashkuar, ndaj ai nuk ka të drejtë të ndërhyjë.
Në rast se Beleri shpallet fajtor, ai ka të drejtë të drejtohet në Gjykatën e Apelit dhe më pas në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë. Megjithatë, një dënim në dosjen e tij kriminale do të thotë se ai nuk do të jetë në gjendje të kandidojë në zgjedhjet e reja që kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se synon të thërrasë në Himarë, në mënyrë që të lajë duart për “çështjen e Himarës”.
Pa Belerin, minoriteti etnik grek do të duhet të zgjedhë një kandidat të ri, me paraqitjet e shpeshta të djalit të tij në media kohët e fundit duke krijuar zhurmë se ai është një kandidat i mundshëm. Por komuniteti mund të zgjedhë gjithashtu të abstenojë nga ky proces, gjë që do të përkeqësonte edhe më tej marrëdhëniet me Tiranën dhe do të ndikonte në lidhjet greko-shqiptare, tashmë të tensionuara nga çështja Beleri.
Përtej “tablosë së vogël” lidhur me çështjen ndaj Belerit, megjithatë, ekziston një “pamje më e madhe” në të cilën Rama shihet si bashkëbiseduesi i favorizuar i BE-së dhe SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri dinak shqiptar, shkruan gazetari grek, vazhdon ta projektojë veten si lideri që mund të garantojë stabilitetin e brendshëm politik dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë. Kryesisht, megjithatë, ai e paraqet veten si një politikan me ndikim me cilësitë drejtuese të nevojshme për të kontrolluar sipas dëshirës së Perëndimit zhvillimet e rrezikshme në Kosovën e trazuar dhe me aftësinë për të manipuluar tendencat secesioniste në mesin e 7 milionë shqiptarëve etnikë që jetojnë në Ballkan.
Të gjithë e kuptojnë se pa Tiranën dhe Beogradin, pra pa Ramën dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ka pak shpresa për përmirësim të situatës në Kosovë. Perëndimi sheh te Rama edhe një kryeministër pro-europian, i cili pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, po e mbron Shqipërinë nga islamizimi dhe nga shndërrimi i saj në urën e Turqisë për në detin Adriatik. Në fund të fundit, ai ka treguar se di të bëjë atë që i kërkohet. Si shembull të kësaj, Kathimerini jep pranimin së fundmi të skemës së kryeministres italiane Giorgia Meloni që Shqipëria të presë disa mijëra refugjatë nga Afrika që përpiqen të arrijnë nëpërmjet Italisë në Europën e Bashkuar.
Klan News