Greqia duket se ka zbutur qëndrimin ndaj Shqipërisë duke hequr dorë nga vetoja për vijimin e procesit të integrimit si hakmarrje për burgosjen e kandidatit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.
Mediat greke raportojnë se pasi Gjykata e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri dënoi me 2 vite burg Fredi Belerin për korrupsion zgjedhor, qeveria greke ka rënë dakord të nisë procesin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Mbrojtjes dhe Sigurisë ndërmjet BE-së dhe Tiranës, bazuar në projekt-marrëveshjet specifike me vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë.
“Diskutimet e brendshme mes organeve bashkë-kompetente të BE-së, kishin nisur që në Janar të këtij viti, por pak ditë më parë u propozuan draftet specifike të një marrëveshjeje me Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor”
Më tej, në artikujt e mediave greke që kanë trajtuar këtë çështje, thuhet se ajo që ka detyruar Greqinë të bëjë një hap pas në këtë drejtim është pamundësia e Athinës zyrtare për të bindur Uashingtonin dhe Brukselin se ndalimi i Belerit ishte një çështje e mirëfilltë politike. Për këtë, ato i njohin një meritë të veçantë raporteve që kryeministri Edi Rama ka krijuar me SHBA-në dhe BE-në.
“Në fund të fundit, kur në fazën fillestare të krizës së Belerit qeveria greke kërkoi një ndërhyrje amerikane, u konstatua se kryeministri shqiptar kishte forcuar pozicionin e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit. Sepse, në një kohë të padyshimtë, zoti Rama kishte projektuar me sukses imazhin e të qenit mburoja e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor dhe viktimë e sulmeve hibride nga organizatat terroriste iraniane dhe të tjera. Në të njëjtën kohë, në muajt e fundit, kryeministri shqiptar ka forcuar edhe terrenin e tij në Bruksel, ose Athina beson gabimisht dhe me frikë se kjo ka ndodhur në një masë të madhe”
Por jo vetëm kaq, pasi mediat greke hedhin dyshime se edhe vetë qeveria greke nuk e ka patur seriozisht angazhimin në çështjen Beleri dhe aq më shumë në kërcënimet ndaj Shqipërisë.
“Nuk mund të shpjegohet ndryshe se, si në planin politik, ashtu edhe në atë diplomatik, pala greke herë nuk e ngre fare çështjen e Belerit dhe herë mjaftohet me një informim lakonik, pa kërkuar ndihmë të drejtpërdrejtë. Imazhi, i cili tashmë po konsolidohet tek zyrtarët e BE-së dhe përfaqësuesve të 26 vendeve anëtare të mbetura, është se çështja Beleri është ngritur thjesht për t’u regjistruar në procesverbal. Ndër të tjera, është hequr dorë nga paralajmërimi i përsëritur muaj më parë se “kjo është një çështje serioze që mund të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe dhe në kursin europian të Tiranës”. Tani vetëm thuhet se “Shqipëria duhet të respektojë parimet e shtetit ligjor gjatë gjykimit të z. Beleri në shkallë të dytë”.
Një tjetër element që sipas mediave në Greqi tregon ndryshimin e kursit të Athinës ndaj faktorit shqiptar është edhe qëndrimi që Greqia mbajti ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës dhe në mënyrë të veçantë raporti i Dora Bakojanis që propozonte miratimin e kërkesës së Prishtinës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.
Tv Klan