Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ka qenë e ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” dhe tha se nuk ka asnjë verifikim që të jetë konsumuar apo hedhur në treg mish pule i infektuar nga gripi i shpendëve.

Sa i përket rasteve me grip shpendësh, qarqet më të prekura janë ai Dibrës, Korçës, Fierit, qarku i Tiranës dhe Durrësit. “Në rastin e Durrësit ku u evidentua rasti i parë nuk kemi pasur asnjë infektim tjetër”, shtoi ministrja duke theksuar rëndësinë e planit të masave të vendosura nga ministria.

Ministrja sqaroi se gripi i shpendëve nuk transmetohet tek njeriu kur ushqimi gatuhet me mbi 80 gradë, siç ndodh normalisht. Krifca për referencë mori 3 organizata botërore të rëndësishme të cilat nuk kanë gjetur asnjë evidencë të infektimit tek njeriu. 

Krifca tha se qytetarët duhet të konsumojnë mish pulash dhe vezë dhe se nuk rrezikojnë nga ky konsum.

Blendi Fevziu: Në qoftë se për arsye rastësie, rrëshkitje nga kontrolli dikush do të konsumojë një pulë të infektuar, ka pasoja?

Frida Krifca: Atëherë OBSH, apo FAO, apo Departamenti i Bujqësisë i SHBA nuk gjejnë asnjë evidencë se si ky infektim mund të ndodhë tek njeriu nëse konsumohen produktet duke u gatuar me 80 gradë siç gatuhen normalisht.

Blendi Fevziu: Nëse janë të gatuara me mbi 80 gradë infeksioni ose infektimi ngordh, nuk transmetohet?

Frida Krifca: Jo nuk transmetohet.

Blendi Fevziu: Po nëse je në kontakt me pulat, pra je fermer që rri me to?

Frida Krifca: Personat më propabël për t’u kontaminuar janë pikërisht punonjësit e stabilimenteve të pularive, por ata janë të veshur, me masat e biosigurisë, respektojnë protokolle të caktuara. Mund të ketë ndodhur, ky nuk është rasti.

Blendi Fevziu: Po ata që i kanë pulat nëpër shtëpi? Unë pashë një familje që i kishin ngordhur 20 pula në shtëpi?

Frida Krifca: Jemi në kontakt edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk kemi asnjë rast që të kemi të evidentuar një gjë të tillë.

Blendi Fevziu: Duhet apo nuk duhet të konsumojmë mish pulash?

Frida Krifca: Duhet të konsumojmë mish pulash. Nuk rrezikojmë nga ky konsum. Përmenda tre referenca botërore të besueshme.

Blendi Fevziu: As nga veza?

Frida Krifca: As nga veza. E vetmja gjë që mund t’i parandalojmë është t’i gatuajmë ato në 80 gradë./tvklan.al