Na ndajnë vetëm 13 ditë nga dita e inaugurimit të Donald Trump si president i SHBA-së. Ai do të rikthehet në Zyrën Ovale për të dytën herë, por duket se kësaj here është shumë më i qartë dhe i vendosur se çfarë do të bëjë. Motoja e tij është “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”. Dhe këtë mund ta nisë me ndryshimin e toponimeve.
“Do të ndryshojmë emrin e Gjirit të Meksikës në Gjiri i Amerikës. Mbulon shumë territor. Gjiri i Amerikës. Çfarë emri i bukur”, tha Trump.
Në një konferencë për shtyp të martën, Trump nuk mohoi se do të përdorë forcën ushtarake apo ekonomike për të rimarrë kontrollin e Panamasë apo Groenlandës.
“Jo, nuk mund t’ju siguroj asnjërën prej të dyjave. Por mund t’ju them këtë. Na nevojiten për siguri ekonomike”, tha Presidenti i zgjedhur i Amerikës.
“Kanali i Panamasë është jetësor për vendin tonë. Operohet nga Kina. Ne në fakt ia dhamë kanalin Panamasë. Nuk ia dhamë Kinës dhe ata abuzuan me këtë. Abuzuan me atë dhuratë. Nuk duhej ishte dhënë kurrë meqë ra fjala. Marrëveshja për Kanalin e Panamasë nuk duhej bërë kurrë. Dhënia e Kanalit të Panamasë i kushtoi Jimmy Carter zgjedhjet sipas mendimit tim. Më shumë se sa pengjet”, tha ai.
Ai i referohej këtu krizës së pengjeve me Iranin ku 53 diplomatë amerikanë u mbajtën në ambasadën në Teheran nga viti 1979 deri në vitin 1981.
“Dhënia e Kanalit të Panamasë ishte një gabim shumë i madh. Humbën 38 mijë persona, na kushtoi ekuivalentin e 1 trilionë dollarëve, ose ndoshta më shumë. Thonë se ishte struktura më e kushtueshme, nëse e quajmë strukturë, të cilën mendoj se është shumë e vështirë për ta ndërtuar sot. Dhe ta dhuroje ishte një gjë e tmerrshme”, shtoi Trump.
Më vonë tha se SHBA-ja ka nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare dhe vuri në pikëpyetje nëse Danimarka ka ndonjë të drejtë ligjore apo interes mbi territorin.
Trump tha se nëse Danimarka përpiqet që ta mbajë Groenlandën do të përballet me tarifa ekonomike të rënda.
Presidentët e Meksikës dhe Panamasë nuk kanë reaguar në lidhje me këto deklarata. Megjithatë më herët ai i Panamasë, Jose Raul Mulino ka refuzuar idenë e kthimit mbrapsht të kanalit.
Por Trump kaloi edhe përtej oqeanit ku tha se anëtarët e NATO-s duhet të shpenzojnë 5% të PBB-së së tyre, një rritje e madhe nga qëllimi aktual prej 2%.
“Mendoj se NATO duhet ta ketë 5%. Të gjithë mund ta përballojnë, por duhet të shpenzojnë 5%, jo 2%”, tha Trump.
Shpesh Trump është ankuar se shumica e anëtarëve të NATO-s nuk po paguajnë pjesën e tyre. Konferenca e Trump erdhi një ditë pasi Kongresi certifikoi fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale. /tvklan.al