Vlerëson reformat dhe Marrëveshjen e Prespës
Edhe një vizitë e komisionerit të BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn edhe një premtim…
“Jam shumë i bindur se në Tetor do të kryhet. Nuk kam asnjë ndjenjë tjetër.”
Kësaj radhe, komisioneri kishte ardhur për ta lavdëruar ekzekutivin për punën e bërë, por edhe opozitën për qasjen konstruktive. Hahn ceku edhe vijat e kuqe në lidhje me Ligjin për prokurorinë publike, sipas të cilit Specialja duhet të inkorporohet në Prokurorinë e rregullt.
“Ka disa vija të kuqe për ne. Nuk mund të ndodhë dikush të mbetet i pandëshkuar penalisht që në fazën e ristrukturimit të Prokurorisë Speciale, sepse nuk i bëjmë gjërat sipas afate kohore.”
Hahn tha se si do që të jetë ligji e përcakton vet shteti, por për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të gjithë të jenë të njëjtë para ligjit.
E kryeministri Zoran Zaev thotë se kjo edhe po ndodh në Maqedoninë e Veriut.
“Kemi raste konkrete të luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Rasti “Zhvatja”, rasti kundër shitjes ilegale të duhanit, rasti “Shkallët spanjolle” dhe të gjitha rastet tjera tregojnë se jemi në luftë të pakompromisë kundër krimit dhe korrupsionit, pa dallim se ku do të çojnë ato raste. A do të na çojnë tek prokurorë, politikanë, pronar i medias apo ndonjë tjetër. Askush nuk mund të ikë nga ligji apo të jetë i amnistuar.”
Komisioneri Hahn, u takua edhe me kreun e opozitës, Mickoski, si dhe me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin. Ahmetit nuk i pëlqen ideja që prokurorë ose gjykatës të sillen nga jashtë.
Komisioneri porositi qytetarët e vendit që mos ta shohim procesin integrues si humbje kohe. Në realitet, ju nuk po humbni kohë, sepse atë që ju e realizoni tani do të na ndihmojë neve që të jemi më të shpejtë në procesin, tha ai. Bindjen e tij për marrjen e datës për hapje të bisedimeve e bazon edhe në deklaratat e fundit të Presidentit francez, Macron, por edhe të Kryetares të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen të cilët janë të qartë rreth ardhmërisë së Ballkanit Perëndimor.
Tv Klan