Kosova dhe Serbia duhet të ndalin provokimet dhe t’i rikthehen dialogut, pasi ka ende mundësi për arritjen e një marrëveshje historike. Thirrja nga Komisioneri për Zgjerim në BE, Johannes Hahn, vjen një ditë pas kalimit në parlament të 3 ligjeve që zyrtarizuan krijimin e ushtrisë së Kosovës, vendim të cilin Brukseli e priti me rezerva.
“Jemi në vendnumëro, por detyra jonë është të vazhdojmë përpara. Kam bindjen se do të arrrijmë diçka në muajt e ardhshëm, pasi duam ta përmbyllim dialogun brenda këtij mandati të Komisioni Europian”.
Në një intervistë për Radion 1 në Vienë, komisioneri Hahn fton Kosovën dhe Serbinë të mos pengojnë njëra-tjetrën por të fokusohen te bisedimet për arritjen e qëllimit përfundimtar.
“Nga njëra anë Prishtina vendos taksa për importet serbe, nga ana tjetër Beogradi vë pengesa dhe tenton të bindë vendet të tërheqin pavarësinë e Kosovës. Unë mendoj se këto hapa nuk ndihmojnë, kam këmbëngulur të ndërpriten këto veprime, të pranohet status quo-ja e të vijojnë bisedimet”.
Me themelimin e ushtrisë së Kosovës, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur pikën më të ulët të marrëdhënieve të tyre, që pas fillimit të dialogut për marrëveshjen e paqes. BE ishte ndër zërat kritikë për ushtrinë. Brukseli i bëri thirrje Kosovës të respektojë marrëveshjet e arritura dhe Kushtetutën.
Tv Klan