Nga ora 22:45 deri në orën 23:58 minuta. Gjithçka ndodh në 43 minuta. Kaq zgjat “filmi” i vrasjes së Abderrahim El Kharmoudi, 45-vjeçarit maroken, i cili mbrëmjen e së dielës u vra me dy plumba pistolete jashtë një lokali në Cornaredo të Milanos, pas sherrit me një vajzë. Rindërtimi i asaj nate të përgjakshme është bërë falë kamerave të sigurisë. Ndërsa autor i ngjarjes së rëndë akuzohet një shqiptar 21-vjeçar, me precedentë penalë dhe i identifikuar nga mediat italiane si Aldo.

Në orën 23:30, karabinierët morën një telefonatë që sinjalizonte 3 të shtëna me armë zjarri jashtë një lokali në sheshin Liberta. Kur mbërritën në vendngjarje, autoritetet e gjetën lokalin të mbyllur, ndonëse zakonisht qëndronte i hapur deri në orët e vona të natës. Në vendngjarje nuk gjetën as persona të plagosur… Por 500 metra më tutje ndodhej një Volkswagen Polo e bardhë, brenda së cilës ishte 45-vjeçari maroken në grahmat e fundit të jetës, ndërsa në dorë mbante një thikë. Ai vdiq pak kohë më pas.

Nga aty, falë dëshmive dhe kamerave të sigurisë të lokalit dhe bizneseve rreth e rrotull, karabinierët arritën që të rindërtonin të gjithë ngjarjen.

Kontakti parë mes Abderrahim El Kharmoudi dhe Aldos, vrasësit të dyshuar, që ishte në shoqërinë e një shoku dhe të fejuarës së tij ndodhi në orën 22:45 minuta, kur ishte dhe përplasja e parë.

Pas disa fjalëve dhe kërcënimeve, 45-vjeçari largohet me makinë për t’u rikthyer vetëm pak kohë më pas. Ai rikthehet në lokal dhe shkon menjëherë të kërkojë të fejuarën e Aldos. Ky i fundit pikërisht në ato momente, pasi ishte larguar me scooter, po rikthehej në lokal.

Në një moment ndodh e gjithë tragjedia. El Kharmoudi afrohet disa herë në mënyrë kërcënuese drejt vajzës, së cilës i dalin në mbrojtje 3 të rinj të tjerë prezentë në lokal. Ai i bërtet, ngre dorën sikur do ta godasë me shuplakë e më pas godet me shkelm koshin e plehrave, përpara se të kthehet për t’u larguar nga dera e lokalit. Në këtë moment bën disa hapa pas. Sapo është goditur nga dy plumba, të shtëna nga një armë e cila nuk është gjetur ende.

Dikush, që siç shkruajnë mediat fqinje, me gjasë është 21-vjeçari shqiptar bërtet: “Hajde këtu bir k*rve, ku shkon”. Disa prej dëshmitarëve thonë po ashtu se e dëgjuan të thoshte: “Kështu mëson të respektosh femrat”. Në këtë pikë, 45-vjeçari hipën në makinë, bën pak metra e më pas bie pa ndjenja në sedilje, ndërsa dy të fejuarit rikthehen në shtëpi. Prej andej dalin disa orë më pas dhe largohen me një makinë që drejtohej nga një i afërm i Aldos.

Sipas karabinierëve, të njëjtën natë u arratisën drejt Brukselit, duke kaluar nga Zvicra. Por duket se arratia e tyre e shkurtër mbaroi pasditen e mërkurës, kur Aldo u paraqit në polici. Ai mësohet se fillimisht foli me karabinierët, por vendosi që të mos i përgjigjej pyetjeve të prokurorit. Megjithatë, siç raportojnë dhe mediat fqinje, hetuesit kanë një panoramë të qartë të gjithë ngjarjes./tvklan.al