Në Katar vijojnë bisedimet e gjata për një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit. Mediat e huaja raportojnë se grupi militant palestinez ka pranuar draft-marrëveshjen për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e dhjetëra pengjeve.

Sipas Katarit, që ndërmjetësoi bisedimet, negociatat mes Izraelit dhe Hamasit janë “më afër se kurrë”. Përparimin në bisedime e konfirmoi edhe pala izraelite, por tha se hollësitë ende janë duke u diskutuar.

Draft-propozimi parashikon një marrëveshje të ndarë në tre faza, duke filluar me ndërprerjen e luftimeve, shkëmbimin e pengjeve me të burgosur palestinezë, tërheqjen e forcave izraelite nga disa pjesë të Gazës dhe lejimin e ndihmës humanitare.

Zyrtarët u shprehën optimistë se mund të sigurojnë një marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Hamasit para 20 Janarit, ditës së inaugurimit të Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit tha se negociatat janë pozitive dhe produktive, por pa dhënë detaje të tjera. Ndërkohë, zyrtarët izraelitë e konfirmuan përparimin dhe thanë se plani do t’i dërgohet kabinetit qeveritar për miratim.

Edhe Hamasi njoftoi përmes një deklarate se negociatat kanë hyrë në “fazën e fundit”. /tvklan.al