Nga 5000 persona që vuajnë dënimet në 20 burgjet shqiptare të shpërndara në të gjithë vendin, 257 prej tyre kanë përfituar nga shërbimi i provës, institucioni më i ri i hapur në ministrinë e Drejtësisë. Në tryezën e zhvilluar mbi tematiken e Shërbimit të Provës dhe dënimeve penale alternative Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj tha se qëllimi i këtij institucioni është riintegrimi i individëve në shoqëri duke u dhënë atyre jo vetëm masën e burgimit, por mundësinë e një dënimi alternativ.
Enkelejd Alibeaj: “Qëllimi kryesor i veprimtarisë së shërbimit të provës është që në raste të shkelësve të ligjit dhe të veprave penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore, gjykata të shqiptojë një dënim provues që duhet mbikëqyrur. Ky qëllim siguron nga njëra anë rintegrimin e suksesshëm të individit në shoqëri dhe nga ana tjetër nevojën për të mbrojtur shoqërinë nga shkelja e ligjit. Në intervalin dy mujor të ekzistencës së shërbimit të provës, ky shërbim është duke mbikëqyrur 257 urdhra për ekzekutimin e dënimeve penale alternative. Numër ky që përbën një tregues të numrit të rasteve që në situatën përpara prezantimit të shërbimit të provës do të destinoheshin për sistemin e burgjeve.”
Sipas numrit një të drejtësisë, në këtë marrëdhënie zë një vend të veçantë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e cila ka një rol të rëndësishëm në sensibilizimin dhe përgatitjen e personave të cilët kalojnë nga sistemi i burgjeve në dënime alternative./tvklan.al