Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë Enkelejd Alibeaj dhe ai i Punëve të Brendshme Bujar Nishani ndarazi kanë filluar sot vizitat e tyre dyditëshe në Kosovë. Ministri Alibeaj fillimisht ka takuar homologen e tij Nekipe Kelmendin e më pas edhe kryeministrin Hashim Thaçi. Në këto takime është diskutuar  rreth organizimit të gjykatave dhe identifikimin fushave të nevojshme të bashkëpunimit.

Enkelejd Alibeaj: “E ndjejmë të nevojshme që dy shtetet tona të kenë marrëdhënie gjithmonë e më të ngushta, gjithmonë e më të bashkërenduara për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta e besoj këto takime, këto marrëdhënie do të vazhdojnë në të ardhmen të jenë gjithmonë e më intensive.”

Hashim Thaçi: “Është për t’u inkurajuar nga reformat që kanë ndodhur në Shqipëri dhe çdo provojë pozitive e institucioneve të Shqipërisë do të bartet edhe në Kosovë.”

Nekipe Kelmendi: “Të dy vendet jemi të interesuar ta luftojmë krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin me narkotikë, me qenie njerëzore etj etj.”

Ndërkaq në takimin mes dy ministrave të Punëve të Brendshme Bujar Nishanit dhe Zenun Pajazitit është nënshkruar një memorandum.

Zenun Pajaziti: “Ne patëm rast po ashtu të bisedojmë edhe opër sfera të veçanta të angazhimeve tona në sferën e luftimit të krimit, të një bashkëpunimi më të madh të strukturave tona përkatëse.”

Bujar Nishani: “Tashmë në rajonin tonë ne ndiejmë se kemi një partner më shumë në përpjekjet e të gjitha instrumenteve, të gjitha institucioneve të zbatimit të ligjit, të të gjitha vendeve e rajonit tonë në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe kundër trafiqeve.”/tvklan.al