Samir Mane: Është qendra tregtare më e madhe në rajon, investimi kap vlerën e 350 milionë euro

Hapet në Shkup “East Gate Mall” një investim ky i “Balfin Group” me vlerë 350 milionë euro. Gazetarja e Klan Macedonia Xhumadije Ibrahimi ka zhvilluar një intervistë me pronarin e “Balfin Group”, Samir Mane sipas të cilit kjo qendër tregtare është më e madhja në Ballkanin Perëndimor. Ai tregon edhe sfidat për realizimin e projektit për shkak të pandemisë së Covid 19.

Xhumadije Ibrahimi: Zoti Mane, pikërisht në periudhën e dimrit, në këtë vend ku ishim, asgjë nuk ishte gati. Ju premtuat se pikërisht në fund të Tetorit, “Skopje East Gate” do të jetë gati për të gjithë vizitorët dhe e mbajtët premtimin. Ishte i vështirë deri sot?

Samir Mane: Natyrisht që ishte e vështirë, special në një kohë, atëherë kur e premtuam nuk ishte pandemi, por tani ka pandemi kështu që ishte e vështirë, megjithatë ia arritëm.

Xhumadije Ibrahimi: Premtimin e realizuat tek qytetarët, edhe pse pritshmëritë ishin të mëdha dhe disi ishim pak më pesimistë, sikur ky gjigand nuk do të jetë gati për një periudhë aq të shkurtër.

Samir Mane: Deri në ditën e fundit kur kemi anoncuar datën e hapjes, padyshim kemi qenë gjithmonë skeptikë apo jo, megjithatë ne vendosëm ta hapim dhe ia arritëm qëllimit që ta hapim duke menduar që shumë shpejt 12-15 milionë vizitorë që do të ketë qendra në vit, do të kënaqen me mundësitë që ofron kjo qendër.

Xhumadije Ibrahimi: Zoti Mane, për çfarë investimi bëhet fjalë, për të gjithë teleshikuesit e televizionit Klan si në Maqedoni, ashtu edhe në Shqipëri?

Samir Mane: Investimi total që e kemi parashikuar është diku te 350 milionë euro. Faza e parë sapo ka përfunduar, rreth 110 milionë euro, ndërkohë fazat e tjera vazhdojnë. Ashtu siç ju e dini, kjo qendër tregtare ka 2000 vende parkimi, ka 160.000 metra katrorë ndërtim dhe ka 58.000 metra katrorë sipërfaqe neto të dhëna me qera. Padyshim një nga qendrat më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe qendra tregtare më e madhe që ne kemi ndërtuar.

Xhumadije Ibrahimi: Zoti Mane, çfarë impakti ekonomik pritet që t’i japë Maqedonisë së Veriut hapja e kësaj qendre të madhe tregtare?

Samir Mane: Natyrisht përveçse mijëra vende pune, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të kenë mundësinë që të blejnë me një kulturë si ajo europiane. Shpeshherë ne mendojmë që Maqedonia e Veriut do të hyjë në Europë ose do të jetë gati shumë shpejt për të hyrë në Europë dhe unë them vazhdimisht që “East Gate” është në Europë nga sot.

Xhumadije Ibrahimi: Kjo qendër e madhe tregtare pritet që të ketë 220 brand-e, ashtu siç e përmendët edhe ju dhe siç është tanimë e thënë edhe në opinion. Për çfarë brand-esh të mëdha botërorë bëhet fjalë konkretisht?

Samir Mane: Bëhet fjalë për për brand-e të mëdha që nuk kanë qenë ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut dhe brand-e të tjera pritet të vijnë shumë shpejt. Padyshim që këto brand-e e bëjnë këtë qendër unike. Përveç brand-eve të rëndësishme botërore që ne kemi, për shembull “Zara Shop” i cili është dyqani më i madh në Ballkan për herë të parë në Maqedoninë e Veriut. Përveç kësaj, qendrën do ta bëjnë akoma më interesante 1600 apartamente dhe 5 godina zyrash të cilat do të jenë shumë shpejt, është duke u punuar, do të jenë shumë shpejt të gatshme për qytetarët dhe unë besoj që ky qytet i vogël do të jetë një gjë unike për të gjithë, patjetër për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjithë Ballkanin.

Xhumadije Ibrahimi: Do të jetë kjo qendër tregtare edhe qendër rajonare ku do të vizitohet edhe nga vendet e rajonit si Kosova, Shqipëria, do të kemi vizitorë ndoshta edhe nga Serbia, por edhe Greqia dhe Bullgaria?

Samir Mane: Madhësia e qendrës e bën këtë të mundur, lokacioni I qendrës e bën këtë të mundur dhe padyshim që do të kemi jo vetëm qytetarë të Maqedonisë së Veriut që vizitojnë këtë qendër, kjo është tashmë e sigurt. Brand-et që ne kemi këtu janë unike nën të njëjtën çati e themi ne, kështu që padyshim që do të ketë edhe nga gjithë rajoni vizitorë.

Xhumadije Ibrahimi: Numri i vizitorëve e përmendët se do të jetë shumë i lartë, çfarë shifrash edhe njëherë?

Samir Mane: 12-15 milionë në vit.

Xhumadije Ibrahimi: Çfarë mesazhi keni për qendrat e tjera tregtare këtu në Maqedoninë e Veriut, për shkak se ka ndikuar hapja e “East Gate Mall” që ata ndoshta të kenë frikë nga mbijetesa në të ardhmen?

Samir Mane: E para njëherë, qendra “Skopje East Gate” është një qendër shumë e mirë sepse ne vetë e kemi krijuar atë dhe e dyta, Shkupi ka mundësi dhe hapësirë edhe për më shumë qendra se kjo, kështu që unë besoj se të gjitha qendrat do furnizohen perfekt. Qytetarët e Maqedonisë do të jenë shumë të kënaqur me ato që shohin dhe do të shpenzojnë këtu dhe jam i sigurt që nuk do të ketë asnjë problem për asnjë nga qendrat e tjera tregtare.

Xhumadije Ibrahimi: Çfarë mesazhi keni për qytetarët e Maqedonisë së Veriut nga këtu, pikërisht nga “East Gate Mall”?

Samir Mane: Europën që ata presin ta shohin shumë shpesh, e kanë këtu tashmë, në mes të qytetit të tyre./tvklan.al