Samiti i Inovacionit Balfin, event i rëndësishëm për Grupin Balfin dhe punonjësit e tij, u zhvillua në vitin e tij të gjashtë me një qasje vërtetë inovative. Kryefjala e BIS 2024 ishte Inteligjenca Artificiale. AI priti në skenë 5 pjesëmarrës finalist nga të gjithë punonjësit e kompanive të Grupit Balfin që konkurruan, të cilët prezantuan idetë e tyre për përmirësimin e produkteve apo proceseve të kompanive të Grupit, por edhe më gjerë.
Nuk mungoi fjala përshëndetëse e Presidentit të Grupit Balfin, Samir Mane.
“Grupi Balfin është dalluar gjithmonë për angazhimin e tij ndaj ideve shpërblyese, kreativitetit dhe zgjuarsisë, qoftë nga një individ apo një ekip. Në fund të fundit, fituesi i vërtetë i BIS është Grupi Balfin për nxitjen e një kulture ku profesionistë si ju, drejtojnë vazhdimisht përpara një nga vlerat tona kryesore: inovacionin”.
Momenti kulmor i BIS u shënjua nga shpallja e fituesit, Fotelda Dai, me projektin “Inspire Trip”, ku shihen mundësitë se si mund të përmirësohet kultura organizative e korporatës në sajë të përvojave përmbushëse nga udhëtimet e skuadrës së punës.
“Qëllimi ishte që ishin disa procese të cilat unë realisht i kisha evidentuar që mund të kishte hapësira optimizmi dhe arsyeja tjetër është pasioni që unë kam për këtë lloj fushe, për pjesën e udhëtimeve, për pjesën e organizimeve të aktiviteteve të ndryshme për stafin. Kjo e bëri atë idenë që u prezantua edhe sot”.
Samiti i Gjashtë i Inovacionit Balfin u përmbyll me një atmosferë entuziazmi, duke konfirmuar se inovacioni dhe teknologjia janë vlerë të palëkundura për Grupin Balfin, që vazhdon të forcojë pozitat e tij në rajon dhe më gjerë.
Tv Klan