Pas dy koncerteve që mbajti në Shqipëri këtë verë, Kostantinos Argiros rikthehet sërish në Shqipëri, por kësaj radhe ndryshe.
“Artisti i mirënjohur grek, Konstantinos Argiros, ndodhet në Tiranë për të bërë provat për koncertin e tij më të fundit që do të mbajë në Londër, të cilin e quan kyç për karrierën e tij. Megjithatë për këtë moment të rëndësishëm ai ka zgjedhur të shoqërohet nga një orkestër shqiptare”, raporton gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba.
Bashkëpunimi me orkestrën shqiptare ai e nisi në koncertin që mbajti në Pallatin e Kongreseve në Janar të vitit të shkuar, dhe do ta vazhdojë edhe në skenën më prestigjioze muzikore në botë, në “Royal Albert Hall”, ku do të jenë më të në skenë rreth 30 instrumentistë shqiptarë.
“Jam shumë i lumtur që kthehem në Tiranë. Vitin e kaluar mbajtja një koncert të Pallati i Kongreseve, nga ku kuptova që ju keni instrumentistë të shkëlqyer, ndër më të mirët në botë dhe për këtë koncert kyç të karrierës time në Albert Hall nuk mund të zgjidhja një skuadër tjetër”, thotë këngëtari.
Një ëndërr e bërë realitet është ky moment për artistin grek, këngët e të cilit janë shumë të dashura edhe për publikun shqiptar, ndërsa zbulon çfarë do të ketë në repertorin e asaj mbrëmjeje.
“Jam shumë i lumtur që do të performoj në atë skenë, ku janë ngjitur edhe ikona të muzikës botërore, si Elton John, Frank Sinatra, Adele, nuk e kisha imagjinuar kurrë, por më në fund kjo ditë po afron dhe jam shumë i emocionuar. Veç këngëve të repertorit tim gjithashtu kam përzgjedhur edhe këngë ikonike të historisë së muzikës greke, sepse sado e pabesueshme për mua, por fansat e mi nëpër botë i dinë dhe i këndojnë dhe i ndjekin këngët greke”, shton Argiros.
Por pas këtij momenti, një tur nëpër botë e pret artistin Konstantinos Argiros, i cili nuk e përjashton që veç orkestrës së tij të shoqërohet edhe nga instrumentistë shqiptarë.
“Do të nisim një tur në botë, por së pari do të ndalem në Gjermani, Turqi, Francë, dhe duam të kthehem sërish në Tiranë. Kemi krijuar një skuadër të mrekullueshme dhe tani duam të qëndrojmë bashkë për të udhëtuar nëpër botë dhe për të dhuruar muzikë të mirë. Dua të falenderoj në këtë rast edhe Samir Manen dhe familjen e tij që më kanë mirëpritur duke më bërë të ndihem si në shtëpi, dhe ta falenderoj për dashurinë që ka për vendin e tij dhe punën për që bën për ta zhvilluar”, vijon artisti.
Konstantinos Argiros do të performojë në “Royal Albert Hall” në Londër me 26 Shtator.
Tv Klan