Inaugurohet spitali i Pediatrisë së Specialiteteve në QSUT.  E teksa iu rikthye çështjes së Onkologjikut, Kryeministrie Edi Rama tha se edhe pse sektori Shëndetësisë këtë vit ka marrë buxhetin më të lartë prej 1 mld Euro, sërish ka cështje të cilat duhet adresuar për të mos patur histri përsëritëse si ai i Onkologjikut , cështje e cila nuk është vetëm shqiptare, por globale.

“Mjekëve dhe infermierëve të Pediatrisë u japim mundësinë e një tjetër strukture të standardeve më të larta bashkëkohore, ndërkohë që së shpejti me financimet e këtij viti do të realizojmë dhe transformimin e strukturës së tretë të Pediatrisë Infektive, në mos gabohem. Është viti me buxhetin më të lartë për shëndetësinë, 1 miliardë euro, një buxhet i lartë dhe paimagjinueshëm disa vite më parë. ne kemi ende probleme për të adresuar, padiskutim që jemi të gjithë të vëmendshëm që mësimet e hidhura që kemi marrë në të shkuarën të na vlejnë dhe njëkohësisht ngjarjet si ajo e Onkologjikut të mos përsëriten, por nga ana tjetër, kjo është një betejë e përditshme, që nuk është vetëm një betejë shqiptare. Përpara pak javësh në Davos mësova historinë e departamentit të Kardiokirurgjisë, njërit ndër më të famshmit në Europë apo në botë, në Zvicër, që pak kohë më parë ishte përfshirë në një skandal të madh që kishte sjellë praktikisht, edhe një pastrim rrënjësor të personelit”, tha Rama.

Si pjesë e transformimit të sektorit shëndetësor, zgjidhje pritet të marrë edhe parkimi në qendrën më të madhe spitalor.

“Jam i bindur që me ndërtimin e parkimit të madh që ka filluar, do të çlirohet përfundimisht edhe një tjetër hapësirë që psikologjikisht është shumë e rëndësishme për të gjithë ju dhe për pacientët, hapësira pa makina do të jetë vërtetë një bekim për gjithë komunitetin këtu të mjekëve, infermierëve, por edhe të pacientëve dhe gjithë pjesa jashtë e qendrës do të jetë një park i jashtëzakonshëm, ku ne do të punojmë edhe për të sjellë vepra arti”, thekson Rama.

Për të treguar se mbështetja ndaj bluzave të bardha nuk do të ndalët, kreu i qeverisë tha jo vetëm nga autonomia spitalore, por edhe nga përkrahja e ekzekutivit, pagat do të pësojnë sërish ndryshime.

“Patjetër me autonominë spitalore dhe me kontributin e pashmangshëm të qeverisë, më herët se vonë, përsëri do të bëjmë një rritje pagash për mjekët dhe infermierët”, tha Rama.

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu tha se me transformimet në këtë sektor, Shqipëria i përafrohet vendeve të Bashkimit Europian.

Anila Godo, ish-shefe e Shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike, e cila prej vitesh ka shërbyer pranë të vegjëlve, tha se ky investim do rrisë cilësinë e shërbimit për pacientët e Pediatrisë.

Për të mundësuar aksesin në arsim, pranë peditarisë shumë shpejt do të instalohet edhe një shkollë për të vegjlit të cilët përballen më probleme shëndetësore dhe kërkoj trajtim spitalor për një kohë të gjatë.

Tv Klan