Pas më shumë se një dekade, u finalizua në këtë mënyrë pasditen e kësaj të hëne Unaza e Madhe e Tiranës, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në kryeqytet.

“Duke nisur nga sot, pra nga ky moment Unaza është e aksesueshme”, njoftoi ministrja Balluku.

Të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku e cila është njëherazi edhe ministre e Infrastrukturës.

Gjatë inspektimit Rama më shumë u interesua për detajet e projektit teksa në rrjetet sociale e konsideroi këtë si projektin më të madh infrastrukturor në historinë e kryeqytetit. Sipas tij ai u finalizua brenda afateve të premtuara dhe do të çlirojë kryeqytetin nga trafiku, dhe do të ketë një impakt të rëndësishëm në ekonomi duke rritur vlerën e pronës, dhe zhvillimin e bizneseve të reja.

Ministrja Balluku dha detaje edhe për vështirësitë e hapura gjatë këtij projekti.

“Pjesa e unazës veriore ka qenë një nga pjesët më të vështira të kësaj vepre duke pasur parasysh që kemi pasur një zonë informale të banueshme dhe na është dashur që të spostojmë mbi 654 ndërtesa”, shprehet Balluku.

Projekti i radhës infrastrukturor do të jetë bajpasi i Elbasanit.

“Kemi akoma disa momente që janë detaje të vogla që mbarojnë brenda Janarit. Bajpasi i Elbasanit do të jetë sfida e rradhës për të cilën kemi nisur fazën e negociatës sa i përket kredisë që duhet të marrim nga bankat e huaja”,tha Balluku.

Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi totale rreth 29 kilometra. Shpejtësia e projektuar e lëvizjes është 90 km në orë. Ky projekt u financua i gjithi nga nga buxheti i shtetit.

Tv Klan