Kandidatja demokrate Kamala Harris përmbyll fushatën presidenciale në Uashington. Fjalimin zgjodhi ta bënte nga i njëjti vend ku ish-Presidenti Donald Trump mbajti fjalimin përpara se mbështetësit e tij të sulmonin ndërtesën e Kapitolit, më 6 Janar të vitit 2021.

“Ne e dimë se kush është Donald Trump. Ai është personi që qëndroi në këtë vend gati katër vjet më parë dhe dërgoi një turmë të armatosur në Kapitol për të përmbysur vullnetin e popullit gjatë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.”

Ajo u zotua para amerikanëve se do të punojë për të përmirësuar jetën e tyre, duke këmbëngulur se rivali i saj, Trump punon vetëm për veten e tij.

“Amerikë, ky nuk është një kandidat për president që po mendon se si ta bëjë jetën tuaj më të mirë. Ky është dikush që është i paqëndrueshëm, i fiksuar pas hakmarrjes dhe i etur për pushtet të pakontrolluar.”

Fushata e Kamala Harris po përballet me një moment të pakëndshëm që ka marrë shumë kritika.

Në një video që është bërë virale, Joe Biden flet për deklaratën e komedianit Toni Hinçklif të bërë gjatë tubimit të Trump në Nju Jork i cili u shpreh se Porto Riko është një ishull plot me plehra që lundron mbi oqean.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë në largim deklaroi se të vetmit mbeturina ishin mbështetësit e Donald Trump, një koment që solli reagime te shumta.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates hodhi poshtë faktin se Biden po i referohej mbështetësve të Trump dhe se në fakt e kishte për retorikën e përdorur gjatë falimit të Trump.

Ndërkohë, më shumë se 53 milionë amerikanë kanë votuar tashmë në zgjedhje që do të vendosë se kush do të drejtojë SHBA për katër vite.

Klan News