Verën e shkuar, vajzat u fiksuan pas “grimit luleshtrydhe” me ngjyra të kuqe e rozë. Në muajt e vjeshtës, mbizotëruan tonet e ngrohta të kanellës dhe tani jemi sërish gati për një epokë të re makijazhi me emër ushqimesh.

Vajza si Sabrina Carpenter dhe Kylie Jenner propozojnë grimin “pjeshkë”. “Peach girl” është trendi që mbështetet te një paletë me ngjyra të ngrohta, të shkëlqyeshme që të duket sikur të ka ‘puthur’ dielli.

Çfarëdo toni në ngjyrë pjeshke që të keni, mjafton ta aplikoni në mollëza, buzë, sy apo ballë për një rezultat monokromatik dhe të konturuar.

Pudra e faqeve me tonalitet pjeshke është e preferuara e momentit dhe vajzat kanë nisur të eksperimentojnë. Në verë, kjo ngjyrë është perfekte për të dhënë idenë sikur je nxirë paksa.

Grimieri i yjeve, Patrick Ta është një ndër admiruesit më të mëdhenj të këtij trendi. “Ajo që më pëlqen më shumë te pudra e faqeve me ngjyrë pjeshke është efekti i perëndimit të diellit. Veç kësaj, kombinohet me shumë lehtësi, përshtatet edhe me makijazhin e përditshmërisë apo të mbrëmjes”.

Ta thotë se tonet e pjeshkës rrinë shumë mirë në çfarëdo ngjyre lëkure dhe mund të përdoren kudo e kurdo.

Pra nëse ishit në mëdyshje për grimin e eventit të radhës, mjafton të ndiqni këtë trend dhe do të dukeni si një “pjeshkë”./tvklan.al