Sulmuesi i Bayern Munich dhe kombëtares së Anglisë, Harry Kane, mori trofeun evropian të Këpucës së Artë në një ceremoni të organizuar me këtë rast.
Ky vlerësim jepet për golashënuesin më të mirë në futbollin evropian gjatë sezonit të kaluar. Kane shënoi 36 gola në sezonin e tij debutues me Bayern Munich.
31-vjeçari është sulmuesi i parë anglez që fiton çmimin që prej vitit 2000 kur Këpucën e Artë e fitoi Kevin Phillips. Nga ana tjetër është lojtari i tretë i Bayern Munich pas Gerd Muller dhe Robert Lewandowski.
“Natyrisht, ishte një hap i madh në karrierën time ardhja te Bayern Munich. Ishte një nga vendimet më të mira që kam marrë në jetën time. Kam shijuar çdo moment deri tani”, tha Kane.
Lionel Messi është lojtari i vetëm që e ka fituar këpucën e artë gjashtë herë, ndërsa Cristiano Ronaldo katër herë. Erling Haaland ishte fituesi i fundit para Kane.
Tv Klan