Teksa Kuvendi i Kosovës pret opinionin e qeverisë për të rihedhur në votim nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, presidenti Hashim Thaçi është i prerë në qëndrimin kundër kësaj gjykate. Por përballë presionit ndërkombëtar Thaçi duket i tërhequr.
“E kam vlerësuar edhe atëhere edhe tani se është një padrejtësi historike për Kosovën, por askush në asnjë rrethanë dhe në asnjë çmim, Kosovën nuk do të mund ta nxjerrë në taborrin antidrejtësi. Nëse është çmimi i lirisë së Kosovës, edhe ky tribunal dhe kështu e kam vlerësuar edhe në vitin 2015, kam kërkuar edhe nga deputetët që të lëvizim përpara dhe të mos mbesim në pozicione të ngurta, por që ka qenë, është dhe mbetet padrejtësi, sepse vetë viktimat po tentohet të kriminalizohen, kurse ata që kanë kryer gjenocid po amnistohen”.
Duke folur në një intervistë për DW, kreu i shtetit kosovar komentoi edhe vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Thaçi nuk përjashton mundësinë se vrasja ishte një tentativë për të destabilizuar Kosovën.
“Ata që kanë menduar këtë veprim, këtë atentat, e kanë menduar për ta lënduar Kosovën, raportet ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve apo për të futur përçarje më të thellë mes vetë serbëve, por ndoshta edhe për ti dhënë shkas Serbisë të ndërpresë dialogun me Kosovën”.
Presidenti Thaçi ripërsëriti edhe një herë se mirëpriste çdo ndihmë nga Serbia në hetime, për të cilat theksoi se kryen nga institucionet e Kosovës.
Tv Klan